Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, evidentoi nga Foltorja e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike atë që ai e quajti si momentin historik në të cilin ndodhet kjo forcë historike dhe shprehu falenderimin për të gjithë ata që kanë zgjedhur, si ai, të jenë në anën e duhur të historisë.
Nga Kuvendi Kombëtar i PD, Salianji tha se PD është shtëpia e çdo demokrati dhe dera është e hapur për të gjithë, duke iu referuar mbështetësve të Sali Berishës.
Salianji e cilësoi situatën e krijuar në PD si një përplasje mes Lindjes dhe Perëndimit dhe që sipas tij kjo përballje ishte e pamundur për të shmangur, pasi do të ndodhte një ditë.
“Në njërën anë ky Kuvend ndrinte de më vinin shumë mesazhe që më thoshin se ky Kuvend ndrinte, ndërkohë nga ana tjetër jepeshin pamje nëpër qoftore dhe nëpër bilardo të atyre që kanë marrë shumë nga Partia Demokratike dhe që sot tentojnë në emër të interesit të bëjnë variante jo vetëm që nuk ngjisnin por turpërojnë secilin prej tyre. Ky Kuvend është në një moment kritik dhe janë të pashmangshme për tu përballur.
Ky moment është kulmor jo vetëm në karrierën e çdo politikani po dhe të çdo anëtari dhe kontribuesi të kësaj force politike.
Ky Kuvend zhvillohet në një moment historik dhe vendimtar për Partinë Demokratike, Shqipërinë dhe të ardhmen e saj.
Në një përplasje të qartë që kushdo që tenton ta fshehë nuk e bën dot. Në një përplasje të qartë mes lindjes dhe perëndimit në këtë vend dhe jam më shumë se i bindur që kushdo prej jush ndjehet i nderuar që po bën një betejë të drejtë, që është dhe jemi në anën e duhur të historisë.
Nuk ka asnjë dyshim se sot shqiptarët kanë humbur shpresën te e ardhmja, se sot shqiptarët janë më të varfër se tetë vite më parë, se sot emigrojnë më shumë se asnjëherë tjetër, dhe më shumë se sa vendet që janë zyrtarisht në luftë. Nuk ka asnjë dyshim dhe të gjitha raportet ndërkombëtare të besueshme e tregojnë me fakte se papunësia është rritur, se niveli i arsimit është ulur, se shëndetësia e propaganduar si falas është më e shtrenjtë se kurrë, se korrupsioni është në nivele alarmante.
Këtë gjendje ku ndodhet Shqipëria sot e vuajnë më shumë se kushdo tjetër të rinjtë shqiptarë, të cilët kërkojnë një ore e më parë të largohen nga ky vend dhe të krijojnë të ardhmen e tyre në një vend tjetër. Kjo është një fatkeqësi kombëtare, që nëse nuk bëjmë të pamundurën sot për ta ndaluar këtë trend, nesër do të jetë tepër vonë.
Përgjegjësi kryesor për këtë fatkeqësi kombëtare ka vetëm një emër, Edi Rama dhe qeveria e tij. Për tetë vite me radhë Shqipëria ka pasur qeverinë më të korruptuar, më të paaftë dhe më të papërgjegjshme të 30 viteve të pluralizmit shqiptar. Një qeveri e cila ka instaluar një regjim, ku partia në pushtet ka zaptuar të gjitha institucionet, të gjitha pasuritë e shqiptarëve dhe të gjitha liritë dhe të drejtat e tyre. Në këtë kuptim, kjo qeveri është pa as më të voglin dyshim një regjim, i cili duhet rrëzuar një orë e më parë për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, u shpreh Salianji.