Tiranë – Në një seancë gjyqësore të tensionuar në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ish-prokurori i Durrësit dhe tashmë deputet i zgjedhur i Partisë Demokratike, Arjan Ndoj, dëshmoi në procesin ndaj Plaurent Dervishajt, i ekstraduar nga Dubai si i pandehur për atentatin e vitit 2019 në zonën e Shkozetit.
Në këtë atentat u qëllua me breshëri armësh ndaj automjetit ku ndodhej Ndoj së bashku me Andi Malokun (shoferi që humbi jetën) dhe Aleksandër Lahon, i njohur ndryshe si Rrumi i Shijakut. Ndoj deklaroi në sallë se sulmi zgjati rreth 10 sekonda, gjatë të cilëve u shkrepën me dhjetëra plumba.
Përballja e drejtpërdrejtë me Dervishajn
Për herë të parë, Ndoj u përball drejtpërdrejt me Plaurent Dervishajn në sallën e gjyqit. Atmosfera u elektrizua kur të dy shkëmbyen replika dhe akuza të ndërsjella. Dervishaj ndërhyu gjatë dëshmisë së Ndojës, duke i kërkuar:
“M’u drejto me emër mua!”
Ndoj u përpoq të ruante tonin institucional, por konfrontimi verbal me të pandehurit Dervishaj dhe Julian Meçaj nuk mungoi.
“Më kanë ardhur shumë informacione për ty (Dervishajn), por nuk jam i bindur. Nëse të kam gjë borxh, thuaje çfarë dhe do të të them si e shlyej. Unë ty ta fal,” deklaroi Ndoj.
Debat për lidhjet me Halit Valterin dhe akuzat politike
SPAK pyeti gjithashtu Ndojën për lidhjen e tij me ish-deputetin Halit Valteri, i cili aktualisht është kandidat i PS-së për zgjedhjet vendore.
“E njoh si figurë publike. E përshëndeta edhe sot. Ka publikuar një video në Kuvend ku pretendon se shfaqen autorët e atentatit ndaj meje. Nuk e di nëse është e vërtetë apo jo,” u shpreh Ndoj.
Ai tha se kishte komunikuar edhe me Basir Meçen, babai i Julian Meçajt – një tjetër i pandehur në proces – duke e pyetur nëse djali i tij ishte i përfshirë.
Reagime nga të pandehurit dhe tension në sallë
Pjesa më e tensionuar e seancës erdhi nga reagimet provokuese të Dervishajt dhe Meçajt. Gjatë debatit, Meçaj i drejtoi Ndojës një akuzë të rëndë:
“Je nul në të gjithë veriun, ke prerë leshtë e trafikantëve. Të kam borxh – si do ma shlyesh?”
Ndërsa Dervishaj shtoi:
“Herës tjetër na sillni një gjinekolog të na kontrollojë, jemi burra apo jo. Jashtë nuk i përmend me emra, por këtu eja dhe përmendi! Në burg nuk jam pa emër unë.”
Pyetjet e SPAK dhe akuzat politike
Kur u pyet nga prokuroria nëse deklaratat publike të kryeministrit dhe zv/kryeministrit mund të kenë ndikuar në atentatin ndaj tij, Ndoj u përgjigj shkurt:
“Nuk e di.”
Ai mohoi gjithashtu çdo lidhje me dosjet e gjetura në automjetin e tij në momentin e atentatit, duke theksuar se i përkisnin një avokati dhe jo atij personalisht.
Procesi ndaj Dervishajt dhe të pandehurve të tjerë vijon, ndërsa SPAK pritet të administrojë prova të reja dhe dëshmi të tjera që mund të ndikojnë në zbardhjen e atentatit të bujshëm të vitit 2019.






