Fusha e grumbullimit të mbetjeve në qytetin e Vlorës është përfshirë sërish nga flakët pasditen e kësaj të shtune. Ky incident ndodhi vetëm disa ditë pas vizitës së ambasadorit gjerman në landfillin e Sherishtës.
Sipas burimeve për Report Tv, forcat zjarfikëse janë në vendngjarje dhe po përpiqen të kontrollojnë situatën. Era e fuqishme ka ndihmuar në përhapjen e flakëve, duke e bërë më të vështirë ndërhyrjen dhe shuarjen e zjarrit.
Ky nuk është hera e parë që fusha e mbetjeve përfshihet nga flakët. Edhe pse janë premtuar masa të shumta për të parandaluar këto incidente, autoritetet ende nuk kanë identifikuar ndonjë person përgjegjës për zjarrvënie të qëllimshme në këtë zonë. Problemi i zjarreve në landfill është një shqetësim i vazhdueshëm për qytetin e Vlorës dhe përpjekjet për zgjidhjen e tij vazhdojnë.