Ish kryeministri Sali Berisha nga ceremonia përkujtimore e “Heroit të Demokracisë Azem Hajdari”, i ka bërë thirrje shqiptarëve që të dalin në protesta për të rrëzuar regjimin e Edi Ramës, “që qëndron mbi votën e vjedhur”.
Berisha tha se me aktin e tij, Hajdari ndau epokat ne Shqiperi.
“Jemi këtu për t’u përulur me nderimin më të madh, mirënjohjen më të pakufishme, ndaj veprës së tribunit legjendar të shqiptarëve, Azem Hajdari.
Azem Hajdari hyri në historinë e kombit tonë, si shqiptari që me një grup të guximshëm studentësh, bënë më shumë se kushdo tjetër për lirinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Në dhjetorin ’90, Shqipëria kishte mbetur vendi i vetëm ish-komunist në Europë, nën diktaturën staliniste 46-vjeçare, dhe në monizmin e plotë.
Përpjekjet e shqiptarëve për të dalë prej kësaj diktature, sakrificat e tyre më të jashtëzakonshme për liri, dinjitet njerëzor dhe kombëtar, u ndeshën me shtypjen më të egër.
Çdo akt kundërshtie ndaj regjimit apo akt disidence, ishte i barabartë me hapjen e dyerve të burgut apo mihjen e varrit për shkak të shtypjes së egër staliniste dhe intolerancës totale të regjimit diktatorial.
Azem Hajdari guxoi të dalë në një protesë të fuqishme me studentët, të vihet në një mënyrë epike në krye të kësaj lëvizje, e cila në një hark kohor 3 ditor, solli gjunjëzimin e regjimit dhe vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri.
Me këtë akt, Azem Hajdari dhe bashkëluftëtarët e tij ndanë epokat, monizmin nga pluralizmi, fillimin e ndarjes së sistemeve, dikatorial nga ai i vlerave.
Për këtë akt, Azem Hajdari u ekzekutua më 12 shtator 1998, nga përfaqësues kriminel, vrasës me uniformë, kapitel, kolonel apo nënkolonel të regjimit.
Ai është dhe mbetet frymëzim i madh për shqiptarët, i përjetshëm në veprën e tij.
Sot Azem Hajdari me mesazhin e tij është më i gjallë se kurrë. Sot ne vendosëm ato kurora aty ku ra Azem Hajdari dhe sivallu i tij, për të nderuar ata, në kushtet e një monizmi të plotë.
Pasardhësi i bllokmenëve hoxhist, desendenti direkt i njeriut që firmosi varjen në litar të disidentit Avzi Nela, është sot në pushtet dhe duke rrëmbyer votën e shqiptarëve, ka vendosur në kontroll të plotë të gjitha pushtetet në këtë vend e rikthyer kështu monizmin e plotë.
Në këtë kontekst, vepra e Azem Hajdarit është frymëzim i madh për shqiptarët, për t’u ngritur fuqishëm në protesta dhe demonstrata e për të rrëzuar këtë regjim që qëndron mbi votën e vjedhur, mbi votën e rrëmbyer të shqiptarëve, mbi lidhjet e tmerrshme me krimin e drogën, qëndron mbi varfërimin e frikshëm progresiv të shqiptarëve, si një vasal i Beogradit, qëndron si një anti shqiptar i vërtetë, si një armik i egër, i lirive, të drejtave, qenies, identitetit të Shqipërisë e kombit.
Një rast të evokoj sot përsëri, t’u bëj thirrje shqiptarëve të përmbushim misionin tonë si e përmbushi Azem Hajdari në vitet 90″, tha Berisha.