Një incident i armatosur ka ndodhur sot në lagjen Kiras të Shkodrës, ku një shtetas që ndodhej në automjet ka qëlluar në ajër gjatë një ndjekjeje nga policia. Ngjarja ndodhi ndërsa forcat e rendit po zhvillonin një operacion për kapjen e një personi të cilësuar me rrezikshmëri të lartë.
Sipas burimeve policore, bëhet fjalë për shtetasin Barush Bregu, i cili është në kërkim edhe për vepra të tjera penale. Në momentin e ndjekjes, pasagjeri i automjetit qëlloi një herë në ajër dhe më pas u largua drejt paditur.
Policia arriti të kapë drejtuesin e automjetit, i cili nuk iu bind urdhrit për ndalim dhe kreu manovra të rrezikshme gjatë ndjekjes. Sipas njoftimit zyrtar:
“Rreth orës 15:10, gjatë patrullimit në lagjen ‘Guerrile’, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi një automjeti me të cilin lëviznin 2 shtetas. Drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, por ka shtuar shpejtësinë e lëvizjes dhe ka kryer manovra të rrezikshme. Gjatë ndjekjes, dyshohet se pasagjeri ka qëlluar një herë në ajër dhe është larguar” – njoftoi Policia.
Dhjetra forca policore kanë mbërritur në vendngjarje dhe vijojnë operacionin për kapjen e shtetasit në arrati, ndërsa zona mbetet e blinduar me masa të rrepta sigurie. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.






