Reshjet e dendura të shiut të rëna gjatë natës kanë nxjerrë nga shtrati lumin e Bistricës dhe atë të Kalasës. Uji ka vërshuar në banesa, rrugë dhe toka bujqësore, ndërsa situata rëndohet edhe nga pasojat e zjarreve të verës që shkatërruan pyjet dhe e bënë rrjedhën e lumenjve më të rrëmbyeshme.
Katër familje janë evakuar në Delvinë dhe dy në Finiq, pasi niveli i ujit në banesa arriti deri në 50 cm. Ndërkohë, rreth 10 fshatra në Mirditë mbeten të izoluara për shkak të dëmtimeve të infrastrukturës rrugore dhe shembjes së urave.
Vlorë – Delvinë: Lumenj jashtë kontrollit dhe ura të shembura
Situata vijon të jetë kritike, konfirmon nënprefekti i Vlorës, Kristo Kico, pasi niveli i ujit në argjinatura është ende shumë i lartë.
Nga vërshimi i ujit është shembur ura në hyrje të Delvinës, duke izoluar banorët e Lefterhorit dhe Kakodhiqit.
Po ashtu është shembur edhe Ura e Vanës, duke bllokuar qarkullimin për komunitetin e zonës.
Aksi nacional Kranë–Muzinë është i bllokuar nga përmbytja e shkaktuar nga Bistrica.
Ndërkohë, lumi i Kalasës ka dalë nga shtrati në fshatin Shelegar, duke vështirësuar kalimin në rrugën nacionale Sarandë–Delvinë–Kardhiq. Kryeplaku i fshatit thotë se ura ishte e ngushtë dhe jashtë standardeve.
Sarandë – Delvinë mbeten pa ujë të pijshëm
Është ndërprerë furnizimi me ujë në Sarandë dhe Delvinë për shkak të turbullimit të burimeve të Navaricës dhe puseve në Vrion.
Strukturat e emergjencave civile janë pozicionuar pranë Urës së Mifolit, për të ndërhyrë në rast se lumi Vjosë del nga shtrati. Niveli i ujit në urë ka arritur në 5 metra. Nëse kalon 6 metra, autoritetet paralajmërojnë evakuim të menjëhershëm të banorëve.
⸻
Pogradec – tregu industrial nën ujë
Reshjet intensive kanë përmbytur tregun industrial të Pogradecit. Dhjetëra biznese kanë pësuar dëme të mëdha, ndërsa tregtarët përpiqen të shpëtojnë mallrat e mbetura. Ata shprehen se bashkia ka premtuar prej vitesh një treg të ri, por projekti nuk është realizuar, duke i lënë çdo vit të pambrojtur përballë reshjeve.
⸻
Kurbin – qindra familje përballen me pasojat
Edhe pse uji është tërhequr, qindra familje në Kurbin po përballen me dëmet në banesa, toka bujqësore dhe kasolle bagëtish, sidomos në zonat e Mamurrasit dhe Milotit.
⸻
Mirditë – ura të dëmtuara dhe nxënës pa shkollë
Përrenjtë malorë të fryrë nga reshjet kanë dëmtuar disa ura në Mirditë, duke izoluar banorë dhe duke krijuar vështirësi të mëdha në qarkullim.
Në fshatin Fan, nxënësit kanë mbetur pa mësim. Situata është problematike edhe në Orosh dhe Kacinar, ku rrëshqitjet e dherave rrezikojnë banesat dhe rrugët.
⸻
Kukës – shkolla pa ngrohje dhe ura e dëmtuar
Në Kukës, 14 shkolla vijojnë të jenë pa ngrohje, ndërsa temperaturat kanë rënë. Prefekti Dritan Baci i ka kërkuar kryebashkiakut Albert Halilaj furnizim të menjëhershëm me lëndë drusore.
Në Has, është dëmtuar ura që lidh fshatin Dobrunë me Bardhoshin, duke vështirësuar lëvizjen. Disa fshatra në verilindje janë ende pa energji elektrike për shkak të dëmtimeve në rrjet.
⸻
Vlorë – evakuime dhe ndërhyrje të Forcave të Armatosura
Në fshatin Dermish, bashkia Finiq ka evakuuar dy të moshuar për shkak të pranisë së ujit në banesë.
Në Brataj, bashkia Selenicë ka angazhuar kompani kontraktore për pastrimin e rrugës Brataj-Kuç.
Në bashkinë Vlorë janë dërguar 12 efektivë të FA, si edhe 4 motopompa dhe 1 gomone për ndërhyrje.
⸻
Berat – Osumi përmbyt ullishtet
Në qarkun e Beratit, ujërat e lumit Osum kanë përmbytur rreth 20 hektarë ullishte në fshatin Veterrik.






