Deputeti socialist Vullnet Sinaj ka qenë në qendër të një përplasjeje të fortë në Këshillin e Mandateve, ku është akuzuar nga deputetët demokratë për përfitime të paligjshme në shumën rreth 36 milionë euro nga buxheti i shtetit përmes kompanive të tij. Gjatë mbledhjes, Sinaj ka reaguar ndaj akuzave dhe ka ofruar sqarime për mënyrën se si janë menaxhuar transaksionet në kompanitë e tij.
Gjatë mbledhjes, deputetja Klotilda Bushka e pyeti Sinajn në lidhje me pagesat dhe faturat që ishin bërë në kasat e supermarketeve të tij, duke përmendur një shumë prej 350 mijë lekësh të reja. Sinaj e mohoi çdo njohuri mbi detajet e këtyre faturave dhe theksoi se nuk kishte mundësi të evidentonte të ardhurat e tij në një sasi kaq të madhe faturash. Ai shtoi se nuk kishte informacion në lidhje me çfarë ndodhte në kasat e supermarketeve dhe se ishte e pamundur të kontrollonte çdo detaj në mbi 250 milionë fatura. Sinaj e përshkroi këtë si një keqkuptim dhe përmendi një incident ku një punonjës supermarketi kishte bërë 11 fatura me Bibliotekën Kombëtare pa e ditur që kjo ishte një institucion shtetëror, duke e përdorur këtë si shembull të mungesës së njohurive në menaxhimin e faturave.
Në përgjigje të akuzave nga deputeti Arben Pëllumbi se kishte përdorur pushtetin e tij politik për të shitur produkte në gjykata, Sinaj mohoi këto akuza dhe theksoi se nuk kishte bërë tenderime dhe se ishin institucionet ato që kishin shkuar për të blerë, ndërsa ai kishte kontribuar përmes dhurimeve. Ai e mbrojti këtë veprim duke pritur falenderime për kontributin e tij dhe duke nënvizuar se nuk ishte përfshirë në procedurat e blerjeve.
Klotilda Bushka: Thatë që para që vijnë nga të ardhurat e shtetit në kompanitë ku jeni ortak pasiv, janë marrë përmes pagesave me blerje në kasat e supermarketeve. Ju thatë që nëse mblidhen vlerat e faturave shkojnë 350 mijë lekë të reja. I keni marrë ju direkt apo jane paguar në kasë?
Vullnet Sinaj: Unë nuk kam asnjë shans që të marr vesh çfarë bëhet në kasat e supermarketeve. Nuk kam asnjë shans të evidentoj se çfarë të ardhurash kanë ardhur te unë në 5 fatura në një number mbi 250 milionë fatura. Kolegu tha se duhet ta dinte që ky është institucion shtetëror. A ka shteti ndonjë databazë. Tu them një gjë për të qeshur që me erdhi si informacion nga një punonjëse supermarketi. Kishte bërë 11 fatura me Bibliotekën Kombëtare. U thashë pyeteni pse i ka bërë këto 11 fatura. Përgjigjja që dha ishte “nuk e dija që Biblioteka është institucion shtetëror”. Kompania nuk i ka administratorët juristë si puna e Bardhit që lexon ndonjë libër. Ata janë me 7-8 klasë.
Arben Pëllumbi: E keni ushtruar ju pushtetin tuaj politik për të shitur letër higjenike për gjykatën?
Vullnet Sinaj: Jo unë, po as biznesi nuk ka shkuar të bëjë tenderim. Janë institucionet që kanë shkuar kanë blerë. Unë vetëm kam dhuruar dhe prisja që të falenderonit sot dhe të më thoshit “kaq shumë sa ke dhuruar, duhet të rrish prapë deputet”.
Gazment Bardhi: Keni dalë në raportin e TI se është ndryshuar ligji për të përfituar ju rimbursim të tvsh. Ne po analizojmë letrat dhe faktet.
Vullnet Sinaj: Me OJF merresh ti? Na sjell OJF këtu. Ajo merret vetëm me shpifjet që thoni ju në gazeta.
Sajmir Korreshi: Nga 2017 që jeni bërë deputet, marketet tuaja janë shtuar apo janë pakësuar?
Vullnet Sinaj: Keni një zell të madh për të mësuar nga biznesi. Këshilla e parë që do tu jap është që nuk bëhesh biznesmen pas politikës se do të paragjykojë populli. Biznesmen bëhesh në kohë. Të pyes unë ty, sa supermarkete kam pasur unë para se të bëhesha deputet? Si mund të jap përgjigje për punën e palodhur të 2500 punonjësve? Biznesi im ka qenë gjithmonë në rritje.