Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar, Fidel Ylli, është përplasur sot ashpër në Komisionin Parlamentar të Edukimit me kryetaren Ina Zhupa, e cila risolli në vëmendje vendimin e Gjykatës Arbitrare të Lozanës (CAS) lidhur me asamblenë e KOKSH-it të mbajtur në janar 2021. Në atë asamble, Viron Bezhani u shkarkua dhe u ndryshua statuti i KOKSH-it, por CAS shpalli më 17 qershor 2024 se kjo asamble ishte e paligjshme.
Kryetarja e Komisionit, Ina Zhupa, kërkoi shpjegime nga Ylli lidhur me vendimin e CAS dhe pyeti për arsyet pse ishte zhvilluar një asamble tjetër pas këtij vendimi. “A mund të na thoni me këtë vendim të CAS, a keni dijeni për qëndrimin tuaj dhe përse është zhvilluar një asamble tjetër pas kësaj?” u shpreh Zhupa.
Në përgjigje, Fidel Ylli shpjegoi se asambleja e janarit 2021 nuk ishte organizuar nga ai, pasi ai kishte marrë detyrën vetëm në prill të vitit 2021, pas katër muajsh nga ajo ngjarje. “Unë kam qenë deputet në atë periudhë dhe nuk kam marrë pjesë në asamble. Për më tepër, nuk kam qenë organizator i saj,” deklaroi Ylli.
Për më tepër, Ylli theksoi se vendimi i CAS duhet të konkludohet nga gjykata e apelit në Tiranë për të dhënë një zgjidhje përfundimtare për këtë çështje. Ai këmbënguli se asambleja e janarit 2021 nuk ka ndikuar në ligjshmërinë e zgjedhjes së tij në postin e presidentit të KOKSH-it, duke argumentuar se kjo asamble ishte e nevojshme për të zgjidhur çështje administrative të brendshme.
Ina Zhupa vazhdoi të kërkonte sqarime, duke u shprehur se ndërrimi i rregullave pas asamblesë nuk e kishte prekur ligjshmërinë e zgjedhjes së tij. “Ju mendoni se duke rrëzuar asamblenë që s’keni qenë ju dhe që ka ndryshuar më pas rregullat për zgjedhjen tuaj, nuk ka prekur ligjshmërinë tuaj?” pyeti Zhupa.
Në përgjigje, Ylli u shpreh se asambleja e vitit 2021 nuk kishte ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në ligjshmërinë e zgjedhjes së tij, dhe se vendimi i CAS nuk e cënonte këtë. “Asambleja e vitit 2021 nuk ka cënuar ligjshmërinë e zgjedhjes sime, e gjithë kjo është një përpjekje për të mbuluar problemet e kaluar,” tha Ylli.
Komisioni më vonë u ndërpre për kërkesën e zëvendës kryetares Evis Kushi, e cila akuzoi Zhupën për politizimin e çështjes. “Në emër të maxhorancës, kërkoj që ta ndërpresim këtë asamble urgjentisht,” deklaroi Kushi.
Kreu i KOKSH-it, Fidel Ylli, u thirr në Komisionin Parlamentar të Edukimit për të raportuar mbi pjesëmarrjen e Shqipërisë në veprimtaritë sportive ndërkombëtare dhe për zhvillimin e sportit në Shqipëri. Gjatë raportimit, Ylli kërkoi dyfishimin e buxhetit për sportin dhe rishikimin e Ligjit të Sportit për të përmirësuar rezultatet sportive të vendit.