Tiranë – Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, deklaroi sot se viti 2026 do të shënojë një rilindje të industrisë ushtarake shqiptare, me nisjen e prodhimeve të dronëve, uniformave dhe sistemeve antidronë.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Vengu bëri të ditur se prodhimi i dronëve do të nisë në prill, uniformave në maj, ndërsa sistemet antidronë pritet të dalin në dhjetor. “Rritja e buxhetit të mbrojtjes do të përkthehet jo vetëm në forcim të kapaciteteve ushtarake, por edhe në zhvillim ekonomik dhe inovacion,” theksoi ai.
Ministri njoftoi gjithashtu finalizimin e negociatave me kompaninë italiane Fincantieri për prodhimin e anijeve luftarake në bazën e Pashalimanit, duke hapur rrugën për krijimin e një kompanie të përbashkët.
Sa i përket emergjencave civile, Vengu bëri të ditur se fondet janë rritur ndjeshëm për 47 bashki, me trefishim në Lezhë dhe Gramsh, gjashtëfishim në Përrenjas dhe shtatëfishim në Delvinë. Për infrastrukturën parandaluese janë disbursuar 8 milionë euro, ndërsa 10 milionë euro të tjera për projekte të reja si prita dhe ura. Për flotën e emergjencave janë shtuar 2 milionë euro, ndërsa uniformat dhe mjetet do të jenë “Made in Albania”.
Vengu nënvizoi edhe rëndësinë e kapitalit njerëzor: 1 000 ushtarakë aktivë janë rekrutuar në 14 muajt e fundit, ndërsa numri i largimeve është ulur me 70%. Në prill do të nisë linja e prodhimit të dronëve taktikë, ndërsa janë hapur rekrutimet për 12 inxhinierë që do të trajnohen në bashkëpunim me partnerë izraelitë. Në maj nis shkolla e aviacionit dhe janë porositur dy helikopterë trajnues.






