-1.5 C
Tiranë
Monday, November 25, 2024
spot_img

Polici vrau me plumb në zëmër 29-vjeçarin/ Del dëshmia e shokut të viktimës

Një 29-vjeçar mbeti i vrarë pas mesnate në Tiranë, ndërsa Policia shpalli në kërkim si autor të dyshuar një efektiv të Policisë së Dibrës, por me banim në Sauk.

Burime nga Policia thanë dje se shkak i ngjarjes së rëndë dyshohet të jetë bërë një sherr krejt banal, për radhën në një supermarket, se kush do të paguante i pari. Pasi u shtynë fillimisht me duar, autori dyshohet se qëlloi me një plumb të vetëm 29-vjeçarin Jurgen Duka (Mëziri), plumb që e godet në zemër. I plagosur rëndë, Duka u transportua në Spitalin e Traumës, por aty ndërroi jetë, duke mos i mbijetuar dot plagës. Pak orë më vonë, Policia tha se vrasja dyshohej të ishte kryer nga agjenti i krimeve në Drejtorinë e Policisë Dibër, Arbër Sula, 27 vjeç, banues në Sauk.

Ai dyshohet se e ka qëlluar Jurgen Dukën me armën e punës, megjithëse në atë kohë nuk ishte në shërbim. “Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi hetimor, pas këqyrjes së pamjeve filmike dhe verifikimeve të kryera, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit J. D. (M.), i cili është shtetasi A. S., banues në Sauk, punonjës Policie në DVP Dibër. Po nga veprimet hetimore të kryera dhe deklarimet e marra nga personat që ishin prezent në vendngjarje, ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit dhe autori i dyshuar nuk ka qenë në shërbim gjatë ngjarjes”, tha zyrtarisht Policia e Tiranës.

PAMJET FILMIKE

E gjithë dinamika e krimit të rëndë është regjistruar nga kamera e sigurisë së supermarketit ku ndodhi përleshja mes të rinjve. Në videon e siguruar nga gazeta “Panorama” rezulton se vrasja ka ndodhur rreth orës 00:20 minuta. Viktima, Jurgen Duka, i njohur edhe me mbiemrin Mëziri, ka qenë në shoqërinë e mikut të tij me inicialet O. D., i cili është thirrur për të dëshmuar para hetuesve dhe ka treguar të gjitha rrethanat e ngjarjes. Siç shihet edhe në video, brenda supermarketit ndodheshin edhe 3 persona të tjerë, si dhe shitësi (babai i pronarit të supermarketit) që ndodhej pranë kasës. Të rinjtë kanë nisur debatin pranë kasës, se kush e kishte radhën për të paguar. Sherri nuk ka zgjatur më shumë se 40 sekonda dhe më pas është shkrepur pistoleta.

Siç shihet në pamjet e kamerës së sigurisë, që janë sekuestruar si provë edhe nga Policia, viktima shtyn dhe godet me grusht agjentin e krimeve me detyrë në Dibër, Arbër Sula. Në sherr e sipër ai nxjerr pistoletën nga çanta që mbante në qafë dhe qëllon 29-vjeçarin. Në këtë moment i riu rrëzohet përtokë. Menjëherë të gjithë largohen nga supermarketi, përveç personit që ndodhej në kasë. Jurgen Duka u dërgua në Spitalin e Traumës dhe pas disa minutash ndërroi jetë. Policia i gjeti në rroba 2.8 gramë kokainë dhe dyshohet se sherri ka ndodhur teksa autori dhe viktima ishin në gjendje të dehur. Agjenti i krimeve u shpall në kërkim dhe mësohet se ai nuk ishte në shërbim, pasi e kishte ditë pushimi.

Hetimet për vrasjen në bashkëpunim me SHÇBA, në kërkim polici

Policia e Tiranës dha dje dy njoftime në lidhje me ngjarjen e rëndë ku mbeti i vrarë një 29-vjeçar. “Me datë 14.12.2021, rreth orës 00:20, në rrugën ‘Irfan Tomini’, shtetasi J. D.(M)., është konfliktuar me një person ende të paidentifikuar. Personi ende i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri ku ka mbetur i plagosur shtetasi J. D.(M)., rreth 29 vjeç. Si pasojë e plagëve të marra, shtetasi J. D.(M) ka ndërruar jetë në Spitalin Universitar të Traumës. Shërbimet e Policisë kanë kaluar menjëherë në vendngjarje, dhe grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka sekuestruar prova materiale që shërbejnë për të identifikuar autorin e ngjarjes”, thuhej në njoftimin e parë. Ndërsa më vonë Policia shpërndau një informacion shtesë, ku deklaronte se ishte identifikuar autori i dyshuar i ngjarjes.

“Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi hetimor, pas këqyrjes së pamjeve filmike dhe verifikimeve të kryera, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit J. D. (M), i cili është shtetasi A. S., banues në Sauk, punonjës Policie në DVP Dibër. Po nga veprimet hetimore të kryera dhe deklarimet e marra nga personat që ishin prezent në vendngjarje ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit dhe autori i dyshuar nuk ka qenë në shërbim gjatë ngjarjes.

Gjithashtu, grupi hetimor gjatë kontrollit të rrobave të shtetasit J. D.(M.), ka gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 2.8 gramësh lëndë narkotike e dyshuar kokainë, ndërsa në vendin e ngjarjes janë sekuestruar një gëzhojë pistolete dhe një DVR me pamjet filmike të ngjarjes. Vijon puna intensive për kapjen e autorit. Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor në bashkëpunim me SHÇBA-në vijon punën intensive për dokumentimin e plotë të ngjarjes”, deklaroi Policia.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT