Kreu manovra të rrezikshme me automjet në rrugë, përplasi 5 këmbësorë, braktisi automjetin në vendngjarje dhe u largua, por u kap dhe u vu në pranga një 39-vjeçar. Automjeti tip “Audi” u bllokua dhe 39-vjeçarit iu vu masa plotësuese heqje e lejes së drejtimit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5, në bashkëpunim me shërbimet e qarkullimit rrugor, arrestuan shtetasin P. B., 39 vjeç, banues në Kamëz.
Dje, në rrugën “Halit Haxhija”, P. B., duke drejtuar automjetin tip “Audi”, kreu manovra të rrezikshme dhe si pasojë automjeti doli nga rruga, duke përplasur 5 këmbësorë. Të plagosurit morën ndihmë mjekësore në spital dhe aktualisht janë jashtë rrezikut për jetën.