Policia e Shtetit ka njoftuar se ka kaluar në gatishmëri të plotë në të gjithë vendin, për shkak të reshjeve të dendura që kanë shkaktuar përmbytje dhe rrezik në disa zona. Strukturat policore janë angazhuar për t’i ardhur në ndihmë banorëve të prekur, për të asistuar përdoruesit e rrugës dhe për të parandaluar aksidentet që mund të shkaktohen nga kushtet e përkeqësuara atmosferike.
Sipas njoftimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka urdhëruar ndërhyrje të menjëhershme ndaj çdo personi që ushtron aktivitete rafting në këto kushte të rrezikshme, duke kërkuar ndalimin e tyre dhe sekuestrimin e mjeteve të lundrimit, për shkak të prurjeve të mëdha të lumenjve.
Policia u bën apel të gjithë drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes maksimal, të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe udhëzimet e Policisë Rrugore, pasi në disa akse ka prezencë uji, rrëshqitje dherash dhe rënie inertesh.
Ndërkohë, shërbimet policore në bashkëpunim me firmat kontraktore të mirëmbajtjes së rrugëve po punojnë për pastrimin dhe hapjen e segmenteve ku reshjet kanë shkaktuar probleme, me synimin për të minimizuar rrezikun dhe për të garantuar qarkullim sa më të sigurt.






