Policia e Gjirokastrës ka ndërhyrë me sukses për të shpëtuar dy turistë gjermanë, të cilët kishin humbur orientimin gjatë eksplorimit në mal në zonën e Labovës së Madhe, Odrie. Për shkak të terrenit të vështirë dhe errësirës, ata kishin mbetur të izoluar, duke mos mundur të gjenin rrugën për t’u kthyer.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë ndërmorën një operacion kërkimi, duke lokalizuar turistët dhe duke i transportuar në fshatin Labovë e Madhe. Fatmirësisht, ata ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kanë pësuar dëmtime.
Ky është një tjetër rast që nënvizon rëndësinë e kujdesit dhe përgatitjes për eksplorimet në terrene malore, si dhe reagimin e shpejtë të autoriteteve për të garantuar sigurinë e vizitorëve të huaj në Shqipëri.