6.5 C
Tiranë
Wednesday, November 27, 2024
spot_img

Presidenti Meta vlerëson Arqipeshkvin George Frendo me dekoratën “Nënë Tereza”

Me anë të një ceremonie solemne, presidenti Ilir Meta çmoi Arqipeshkvin Metropolitan Tiranë-Durrës, Imzot George Anthony Frendo O. P. me Dekoratën “Nënë Tereza”.

Kreu i Shtetit e dekoroi Arqipeshkvin me motivacionin “Në vlerësim të kontributit dhe veprimtarisë së vyer për ringjalljen e besimit shpirtëror e të shpresës për një të ardhme më të mirë, si dhe për pjesëmarrjen aktive në Këshillin Ndër-fetar e në shumë çështje sociale me rëndësi jetike. Me mirënjohje për konsolidimin e institucioneve të kultit e të besimit fetar, si dhe për forcimin, pasurimin e mëtejshëm dhe promovimin e harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndër fetare të popullit shqiptar.

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar klerikëve dhe krerëve të bashkësive fetare në Shqipëri si dhe personaliteteve të pranishëm në ceremoninë solemne, Presidenti Meta u shpreh mirënjohës për kontributin e tij, Imzot George Frendo.

Mesazhi i Presidentit Meta

Të nderuar dhe të dashur udhëheqës të Bashkësive Fetare të vendit tonë. I nderuar Shkëlqesia Juaj Nunci Apostolik dhe të gjithë ju personalitete që na nderoni sot, të dashur miq, zonja dhe zotërinj.

Jam shumë i lumtur që jemi sot, në këtë ceremoni të veçantë të organizuar në nderim të një prej personaliteteve më të shquara të shërbimit baritor në Shqipëri, Imzot George Frendo, të cilit kam privilegjin t’i akordoj Dekoratën e lartë ‘Nënë Tereza’.

I jemi mirënjohës Imzot Frendos, për të gjithë shërbesën e tij njëzetë e pesëvjeçare në Shqipëri; për themelimin e misionit dominikan në vitin 1996; për punën e jashtëzakonshme si Arqipeshkvi i Arqidioqezës Tiranë-Durrës, e mbi të gjitha për dashurinë e madhe dhe të pafund që ka treguar për Shqipërinë dhe shqiptarët.

‘Gjithmonë e kam dashur Shqipërinë, i kam dashur shumë shqiptarët!’ – janë këto fjalët e tij, një refren i vazhdueshëm, që është provuar dhe dëshmuar nga puna dhe përkushtimi i tij jetësor, gjatë gjithë këtyre viteve, sidomos në kohët më të vështira, që ka kaluar vendi ynë.

Imzot Frendo u ka shërbyer me përulje nevojtarëve, duke i apeluar me zë të fortë shoqërisë, autoriteteve dhe politikës, që të dëgjojnë britmën e të varfrit dhe të vendosin të mirën e përbashkët mbi interesat personale, duke menduar për vendin dhe qytetarët.

‘Ngrije zërin tënd në favor të atij që nuk flet dot, në mbrojtje të së gjithë atyre që janë lënë pas dore. Ngrije zërin tënd, gjyko me drejtësi dhe mbro çështjen e të mjerit dhe të nevojtarit.’ – thuhet te Fjalët e Urta. Imzot George Frendo e ka mishëruar këtë urdhëresë të shenjtë duke ia përkushtuar jetën e tij më të varfërve, ashtu sikurse edhe nevojave më bazike të jetës, duke i siguruar shumë të sëmurëve edhe ilaçe, sidomos në kohët më të vështira.

Ai ka mbështetur studentët, që nuk mund të përballonin kostot e studimit, për shkak të probleme ekonomike dhe ka siguruar libra e materiale shkollore për fëmijët e familjeve të varfra. Zemra e tij e madhe ka ndryshuar dhe ka ngrohur jetën e shumë familjeve dhe njerëzve të thjeshtë. Ky shembull i jashtëzakonshëm përkushtimi ndaj nevojtarëve, na kujton shenjtoren tonë të madhe dhe të gjithë njerëzimit Nënë Tereza, ndaj edhe dekorata e sotme me këtë emër të madh, është mirënjohja e merituar që kemi ndaj Imzot George Frendo.

Të nderuar miq,

Shqipëria krenohet me harmoninë dhe bashkëjetesën fetare, e cila është një nga vlerat më të çmuara për vendin tonë, por edhe një shembull për mbarë botën. Kjo pasuri e jona është arritur falë kontributit të jashtëzakonshëm të gjithë udhëheqësve dhe përfaqësuesve të besimeve në Shqipëri, përmes mesazheve të tyre të vazhdueshme të besimit, paqes dhe mbi rëndësinë e vlerave shoqërore dhe kombëtare.

Imzot Frendo ka qenë një ndër protagonistët kryesorë të Këshillit Ndër-fetar në Shqipëri, duke qenë pjesëmarrës aktiv, e duke dhënë një kontribut te rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit midis bashkësive tona fetare.

Mesazhet e tij të forta, mbi problemet sociale të vendit, sidomos fenomeni tragjik i largimit të rinisë, duke e konsideruar atë, si varfërinë më të madhe, që po përjeton në këtë moment Shqipëria, apo apeli i tij i vazhdueshëm, për t’u angazhuar më shumë, për të ndërtuar një Shqipëri më të bukur, më vëllazërore, më njerëzore dhe më të denjë për shqiptarët, do të mbeten mesazhe të fuqishme edhe pas largimit të Imzot Frendo-s nga vendi ynë.

Pjesëmarrja e tij aktive me komunitetin katolik në dhurimin e gjakut, në kuadër të Aleancës për Dhurimin e Gjakut, ka shërbyer në sensibilizimin dhe rritjen e vullnetarizmit, në dhurimin e gjakut, sidomos për fëmijët talasemikë.

Sot është vigjilja e Krishtlindjes, e ditës së ardhjes së dritës dhe të shpresës në botë dhe kjo e bën edhe më të veçantë vlerësimin dhe mirënjohjen ndaj një personaliteti kaq të shquar, i cili ia ka kushtuar gjithë jetën e tij, shërbimit ndaj dinjitetit njerëzor.

‘Kur shohim Jezusin fëmijë në një grazhd, në një varfëri ekstreme, në atë fëmijë të vogël shohim dinjitetin e njeriut, që është dhe themeli i të drejtave të njeriut. Çdo njeri që ka të drejtë për jetën, ka të drejtë për një jetë dinjitoze.’

Këto janë fjalët e Imzot Frendo-s, të cilat duhet të na shërbejnë si një mesazh për mbarë shoqërinë tonë, për të ndërtuar një vend me më shumë të drejta, me më shumë respekt për dinjitetin njerëzor, me më shumë demokraci dhe shpresë për rininë tonë, e cila duhet dhe meriton ta ndërtojë këtu të ardhmen e saj.

Ky është mesazhi që Imzot George Frendo na ka transmetuar gjatë njëzetë e pesë viteve shërbesë në vendin tonë.

Kjo do mbetet gjithmonë edhe dëshira e zemrës së tij për Shqipërinë dhe shqiptarët të cilët ai i do, e që, ju siguroj Imzot Frendo, edhe ne ju duan e nuk do t’ju harrojnë kurrë!

Ju falënderojmë për gjithçka që keni bërë për Shqipërinë dhe shqiptarët! Do të mbeteni gjithmonë në zemrën dhe në kujtesën tonë dhe gjithmonë i mirëpritur në shtëpinë tuaj, jo si në shtëpinë tuaj!” Faleminderit!.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT