Ish ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati thotë se pas agresionit rus në Ukrainë zgjerimi BE-së me vendet e rajonit është ngjitur në përparësitë e agjendës së Brukselit, dhe “vendet e Ballkanit nuk do të duhet ta shpërdorojnë këtë mundësi të artë”. Në një bisedë me Zërin e Amerikës, zoti Bushati analizon ecurinë e Procesit të Berlinit dhe pritshmëritë nga ky proces dhe ai i integrimit europian.
Zoti Bushati, Procesi i Berlinit lindi në vitin 2014, si një nismë e kancelares gjermane Angela Merkel. Më pas këtij procesi iu bashkangjitën dhe vende të tjera. Megjithatë ai ka patur ulje-ngritjet e veta. Ju si do ta vlerësonit ecurinë e tij deri tani?
Ditmir Bushati: Së pari Procesi i Berlinit u inicua nga Gjermania dhe kancelarja Merkel, në kushtet kur procesi i Zgjerimit kishte humbur magnetin e tij si transformues dhe demokratizues për vendet e rajonit, dhe në kushtet kur vetë presidenti i Komisionit europian Jean-Claude Juncker, deklaroi se nuk do të kishte Zgjerim për 5 vitet e ardhshme. Pra, në një lloj mënyrë ishte si një ilaç antidepresiv për të gjitha vendet e rajonit. Por që në nisje nuk u konsiderua në asnjë moment si zëvendësues apo si alternativë ndaj procesit të anëtarësimit në BE.
Mendoj se tre janë aspektet kryesore. Së pari në planin politik krijoi një barazi në të drejtat dhe detyrimet mes të gjitha palëve pjesmarrëse. Pra qoftë dhe Kosova e Serbia u ulën me flamujt respektiv të tyre, pra duke respektuar, le të themi, realitetet në rajon, duke krijuar një platformë më të gjerë komunikimi dhe bashkëveprimi, në kushtet kur ishte arritur dhe marrëveshja në Bruksel në vitin 2003.
Së dyti në planin ekonomik, përmes Procesit të Berlinit ne kemi disa zhvillime pozitive, qoftë me Zonën e përbashkët ekonomike, apo me Tregun e përbashkët rajonal, dhe me disa përpjekje shumë pozitive që u bënë nga të gjitha vendet, për krijimin e këtij lloj tregu në rajon, si parapritë ndaj anëtarësimit në Tregun e përbashkët të BE.
Së treti në planin shoqëror, kemi dy nisma shumë të rëndësishme, të cilat synojnë afrimin e qytetarëve të vendeve të rajonit, më shumë me njëri tjetrin dhe zbutjen e të gjitha paragjyimeve.
Natyrisht kur e shohim 9 vite më pas, pritshmëritë nuk janë përmbushur plotësisht, sepse ka shumë çështje dhe sfida që do të duhet të adresohen duke nisur nga nevoja për një ndërlidhje më të mirë të këtij Procesi me agjendën e anëtarësimit në BE, fuqizimin e demokracisë dhe një zbutje të hendekut zhvillimor, mes vendeve tona dhe vendeve më të varfra të Bashkimit europian.
Duke u ndalur te kjo që ju sapo thatë. Edhe një analizë tuajën mbi këtë proces dhe mbi sfidat e integrimit në BE të rajonit, keni vënë në dukje këtë fakt, se zhvillimi ekonomik mes vendeve të BE-së dhe atyre të Ballkanit perëndimor ka diferenca të thella, se hendeku mes tyre është bërë edhe më i madh. Megjithatë, para 2 vjetësh, në mos gabohem, Komisioni europian paraqiti Planin e investimeve në rajon, një plan disa miliarda eurosh për Ballkanin. Ndërkohë që nesër është paralajmëruar se zonja Von der Lyene do të prezantojë atë që quhet Plani i rritjes. Cfarë duhet të presim realisht?
Ditmir Bushati: Së pari duhet të ketë një ndërlidhje mes komponentit që ka të bëjë me demokracinë e Shtetin e së drejtës, dhe zhvillimit ekonomik. Nuk mund të ketë demokraci pa zhvillim ekonomik dhe nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik pa një fuqizim të demokracisë. Në këtë pikëpamje, përfshirja e vendeve të rajonit në monitorimin vjetor që BE bën për veten e saj, sa i përket sundimit të së drejtës është një hap inkurajues.
një ndërthurje më e mirë mes objektivave të BE-së sa i përket tranzicionit drejt ekonomisë së gjelbër dhe ekonomisë qarkulluese, me objektivat që kanë vendet e rajonit, për të cilat ato kanë marrë angazhime që në samitin e Sofjes në 2020, mendoj se do të ishte gjithashtu një lajm mjaft pozitiv. Pse them një ndërlidhje më të mirë? Sepse në rast se në sensin europian, sfida kryesore është tranzicioni, pra nga industritë e mëdha, sfidat për reduktimin e djegieve të dioksidit të karbonit e kështu me radhë, në vendet tona kemi sfida që kanë lidhje me menaxhimin e mbetjeve, me ujin e pijshëm, sfida që kanë të bëjnë me mbrojtjen e lumenjve, e të pasurive natyrore. Duket sikur flasim për dy planete të ndryshme dhe jo për të njejtin planet.
, e gjithë sfida e tranzicionit të gjelbër, në rastin e vendeve të rajonit, duhet të motivohet nga koncepti i zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm që ka për referencë shtetin e së drejtës.