Projektbuxheti për vitin 2025 pritet të arrijë në 8.2 miliardë euro (822.7 miliardë lekë), afërsisht 600 milionë euro më shumë se buxheti aktual, sipas të dhënave nga Ministria e Financave. Të ardhurat janë parashikuar në 754.6 miliardë lekë ose 7.5 miliardë euro, duke shënuar një rritje prej 510 milionë euro krahasuar me këtë vit. Ndërkohë, deficiti buxhetor është planifikuar të arrijë në 680 milionë euro. Emetimi i një eurobondi prej 650 milionë euro është gjithashtu pjesë e këtij projektbuxheti, ndërsa qeveria synon të ulë nivelin e borxhit publik.
Ulja e Borxhit Publik
Sipas dokumentit të relacionit, borxhi publik bruto pritet të vazhdojë rënien e tij, përputhur me rregullat fiskale. Në fund të vitit 2024, borxhi publik bruto parashikohet të bjerë në 56.3% të PBB-së dhe të arrijë në 55.8% në vitin 2025. Projeksionet afatgjata tregojnë se në vitin 2026 borxhi do të bjerë në 55%, dhe deri në vitin 2031 pritet të zbresë në 48.5% të PBB-së.
Fondi për Pensionet dhe Ndihmën Sociale
Edhe pse qeveria ka paralajmëruar një reformë për sistemin e pensioneve për vitin e ardhshëm, janë alokuar vetëm 16 milionë euro për indeksimin e pensioneve dhe 37 milionë euro për bonusin e fundvitit për pensionistët. Ndërkohë, për vitin 2025 janë parashikuar 50 milionë euro për vazhdimin e procesit të rindërtimit pas tërmetit të 2019-ës.
Buxheti për Pushtetin Vendor dhe Investimet Lokale
Buxheti për bashkitë është planifikuar të arrijë në 899 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 13.2% krahasuar me vitin 2024. Transferta e pakushtëzuar për pushtetin vendor për vitin 2025 është rritur me 1.8 miliardë lekë, ose 7.6% më shumë se viti aktual, dhe dyfish më e lartë krahasuar me nivelin e vitit 2015.
Ndarja e Buxhetit për Ministritë Kryesore
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë janë parashikuar të përfitojnë fondet më të larta në buxhetin e ardhshëm. Këto alokime buxhetore synojnë të mbështesin një rritje ekonomike prej 3.9% për periudhën 2025-2027, sipas pritjeve të qeverisë.