Pas arrestimit të këngëtarit Besart Kelmendi, pronari i kompanisë Onima, Erkand Shabani, ka dalë për herë të parë publikisht për të sqaruar incidentin që ndodhi në zyrat e kompanisë.
Përmes një postimi në Instagram, Shabani tha se kishte zgjedhur të heshte deri më tani për shkak të një “fushate të gjerë mashtrimesh publike”, por tani ndjeu nevojën të reagojë për të sqaruar të vërtetën. Ai e cilësoi veprimin e Gjestit si një “vepër të qartë kriminale” që shkaktoi jo vetëm dëme materiale, por edhe trauma psikologjike te punonjësit.
“Kjo vepër ka lënë pas vetes pasoja materiale për kompaninë dhe pasoja të rënda psikologjike për stafin, i cili është terrorizuar nën tytën e revoles,” shkroi Shabani. Ai nënvizoi se vetë Gjesti kishte pranuar fajësinë dhe kishte kërkuar falje gjatë seancës së fundit gjyqësore, gjë që e kishte bërë Shabanin të qëndronte fillimisht i heshtur publikisht.
Për të hequr çdo spekulim dhe për të sqaruar ngjarjen, Shabani ka paralajmëruar se javën e ardhshme do të mbajë një konferencë për shtyp, ku do të publikohen video të ngjarjes që ai i quan “sulme tronditëse” të Gjestit, si dhe raportet financiare që vërtetojnë se kompania nuk i detyrohet asnjë cent artistit.
Shabani tha gjithashtu se qëllimi i publikut të këtyre materialeve është të zbulojë personat që mund të kenë shpresuar të përfitojnë financiarisht nga Onima përmes metodave kriminale, dhe njëkohësisht të ndihmojë hetimet për veprimtarinë e artistit dhe menaxhmentit të tij.

Detajet mbi datën dhe vendin e konferencës do të njoftohen në ditët në vijim. Aktualisht, Gjesti ndodhet në paraburgim prej 30 ditësh pas incidentit.






