Pas arrestimit të këngëtarit Besart Kelmendi, i njohur si Gjesti, pronari i kompanisë ONIMA, Erkand Shabani, ka reaguar për herë të parë publikisht për incidentin që ndodhi në ambientet e kompanisë.
Përmes një postimi në Instagram, Shabani shpjegoi se deri tani kishte zgjedhur të mos komentonte ngjarjen, por sipas tij një “fushatë e gjerë dezinformimi” e detyroi të flasë. Ai e përshkroi incidentin si një akt kriminal brenda zyrave të ONIMA-s, duke theksuar se përveç dëmeve materiale, ngjarja ka shkaktuar trauma emocionale te stafi, i cili u ndje i kërcënuar gjatë momentit të incidentit.
Shabani nënvizoi gjithashtu se këngëtari ka pranuar fajësinë përpara organeve të drejtësisë dhe ka kërkuar falje ndaj palëve të dëmtuara gjatë seancës së fundit gjyqësore. Ai shtoi se, për shkak se çështja ndodhet në proces gjyqësor, kishte preferuar të mos bënte deklarata publike më herët.

Për të sqaruar situatën dhe për të përballuar spekulimet, Shabani ka paralajmëruar një konferencë për shtyp javën e ardhshme, ku do të publikohen pamje video të incidentit dhe dokumente financiare që, sipas tij, tregojnë se kompania nuk i ka asnjë detyrim Gjestit.
Ai theksoi se qëllimi i tij është të zbardhë plotësisht situatën dhe të ekspozojë çdo përpjekje për përfitime të padrejta financiare ndaj ONIMA-s. Detajet e konferencës për shtyp, përfshirë datën dhe vendin, do të bëhen publike në ditët në vijim.
Aktualisht, këngëtari ndodhet në paraburgim për 30 ditë në lidhje me këtë incident.






