Partia Demokratike e reaguar në lidhje me rrëzimin në parlament të propozimit të deputetëve të PD-së në lidhje me ndarjen e re territoriale.
Përmes një deklarate të Sekretarit për pushtetin vendor, Ylli Asllani, PD thekson se të gjitha këto janë falsitete dhe kulisa paraektorale e kryeministrit Rama.
Asllani shton se angazhimi i PD në përgatitjen e një projektligji për përmirësimin e Reformës Administrative Territoriale, u krye jo si qëllim politik në vetvete, por në respekt të pritshmërive të qytetarëve për të ndryshuar katastrofën që sollën ndryshimet e 7-viteve më parë.
Deklarata e plotë:
Qëndrimi denigrues i PS-së ndaj përpjekjeve të PD për përmirësimin e hartës territoriale, nëpërmjet Taulant Ballës, ishte shprehje e përbuzjes së Rilindjes ndaj interesave jetike të qytetarëve.
Partia Demokratike është e vetëdijshme për falsitetin dhe kulisat paraelektorale të Edi Ramës, e vetëdijshme se ajo do ta rrëzonte propozimin tonë.
Kjo dijeni nuk na pengoi dhe nuk do të na pengojë për të paraqitur alternativën tonë.
Angazhimi i PD në përgatitjen e një projektligji për përmirësimin e Reformës administrative territorial, u krye jo si qëllim politik në vetvete, por në respekt të pritshmërive të qytetarëve për të ndryshuar katastrofën që shkaktoi ndarja territoriale e vitit 2014.
PD ka qenë dhe ngelet e vetëdijshme për pasojat e hidhura të bojkotit të ish-kryetarit në hartimin e hartës administrative të vitit 2014, dhe në përdorimin politik që Edi Rama i bëri këtij bojkoti në dëm të shqiptarëve.
Ne nuk kemi patur, dhe nuk kemi besim, se Edi Rama do të ofrojë vullnet politik për të mirën e qytetarëve dhe reformave që përmirësojnë jetën e tyre.
Në prag të fushatës për zgjedhjet vendore, PD ofroi një alternativë në interes të shërbimit publik, zhvillimit rajonal dhe të vendit.
Ne theksojmë një fakt kur themi se reforma e PS ka rënë pikërisht në katër shtyllat kryesore mbi të cilat u ngrit:
- Dështoi në rritjen e eficiencës ekonomike të njësive të reja.
- Solli centralizim të pushtetit te kryebashkiakeve duke shkatëruar decentralizimin dhe forcimin e vetëqeverisjes vendore.
- Goditi përfaqësimin e qytetarëve në bashkëqeverisje, demokracinë vendore dhe llogaridhënien.
- Dështoi në nxitjen e zhvillimit ekonomiko- social dhe zbutjen e varfërisë.
Pasojat:
- Shpopullim masiv i territorit të vendit
- Kolaps dhe falimentim i bashkive.
- Shembja e demokracisë vendore, llogaridhënies dhe rilindja e korrupsionit masiv
- Shërbime publike të pambuluara financiarisht e larg qytetarit dhe kërkesave të komunitetit.
- Falimentime të Shërbimit të ujësjellësve dhe kanalizimeve.
- Korrupsion masiv në menaxhimin e mbetjeve të ngurta dhe ato urbane
- Dorëzimin para rreziqeve të zjarreve dhe përmbytjeve.
- Falimentimi i fermerëve dhe aktiviteteve agroindustrial.
Sa kohë kjo ndarje administrative vazhdon, pasojat i vuajnë qytetarët.
Ne u bëjmë thirje të na bashkohen më 12 nëntor përballë arrogancës së pushtetit, dhe rrezikut që Rama dhe klika e tij përbëjnë për Shqipërinë.