6.5 C
Tiranë
Tuesday, November 26, 2024
spot_img

“Pse nuk zbatohet ligji për milionerët e tij si me qytetarët e këtij vendi?”, Bardhi reagon për ndërtimet pa leje

Deputeti Gazment Bardhi në një dalje për mediat u ndal sot tek ndërtimet pa leje dhe vendimi i qeverisë për konfiskimin e tyre.

Bardhi tha se ligji nuk është i barabartë për të gjithë qytetarët pasi sipas tij nëse dikush bën pjesë në oborrin e Edi Ramës , atë herë drejtësia ul kokën.

Bardhi tha se për ndërtimin e kullave pa leje ka kërkuar edhe informacion me shkrim nga disa institucione, si kryeministria apo edhe Prokuroria.

Deklarata e Gazment Bardhit:

3304 shqipëtar janë dënuar me burg për ndërtim pa leje këto 5 vitet e fundit, edhe pse nuk kanë bërë si ndërtim as gradacela dhe as biznes. Secili prej qytetarëve të dënuar, ka rregulluar catinë e shtëpisë së tij të rrënuar, ka rregulluar murin rrethues, ka rregulluar dhomën e gjumit të fëmijëve të tyre apo ka ndryshuar pllakat e dyshemesë së shtëpisë së tyre sic tha vetë Edi Rama disa ditë më parë. Por, pavarësisht se kanë qenë në majë të malit, në zona të thella apo të izoluara, ato nuk i kanë shpëtuar syrit të institucioneve. Menjëherë u ka shkuar Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, bashkia, policia, prokuroria, dhe në fund ka hyrë në lojë edhe gjykata duke i dënuar.

Në seancën plenare të datës 14 Korrik, me këtë foto në dorë, ju drejtova Qeverisë, Prokurorit të Përgjithshëm dhe Drejtuesit të SPAK, me pyetjen: “Pse është i ndryshëm pronari i këtij ndërtimi, nga 3304 qytetarët e tjerë që kanë shkuar në burg për ndërtime pa leje këto 5 vitet e fundit? Pse ligji nuk është i barabartë për 3304 qytetarët e dënuar për ndërtim pa leje dhe pronarin e këtij ndërtimi dhe dhjetra ndërtimeve të tjera në mes të Tiranës ku kanë mbirë kate shtesë pa leje?

Përgjigjia e kësaj pyetje e dhashë po vetë në atë seancë ku theksova se 3304 qytetarët që janë dënuar për ndërtim pa leje këto 5 vjet nuk janë pjesë e oborrit të Kryeministrit, nuk ndajnë para më të, nuk kanë mbrotjen e Kryeministrit. Nëse je pjesë e oborrit të Edi Ramës, nëse ndan parë me të apo ministrat e tij, nëse ke mbrojtjen e tij, institucionet dhe drejtësia ulin kokën, mbyllin sytë dhe nuk shikojnë. Nëse je pjesë e oborrit të Kryeministrit mund të ndërtosh, jo një murë apo cati të shtëpisë tënde, por plot 5 kate pa leje, në mes të Tiranës, me vlerë tregu 30 miliona euro, dhe të gjitha institucionet ulin kokën, nuk shikojnë, nuk veprojmë, por përkundrazi përfshihen të gjitha në garë kush të shërbejë më parë për të fshehur shkeljen e ligjit.

Ky ndërtim që unë mora si shembull për të denoncuar fenomenin kriminal të ndërtimeve të paligjshme në kullat në mes të Tiranës ku kanë mbirë kate shtesë pa leje, rezultonte se kishte leje zhvillimi dhe ndërtimi për 37 kate mbi tokë dhe 5 kate nëntokë. Pasi ndërton 5 kate shtesë pa leje, Edi Rama i firmos, pa kryer asnjë verifikim apo pa marrë asnjë konfirmim nëse është respektuar apo jo leja e parë e zhvillimit, një leje të dytë zhvillimi për disa kate shtesë dhe urdhëron Bashkinë e Tiranës të miratojë lejën e ndërtimit për shtesë të disa kateve.

Bashkia e Tiranës që ishte njoftuar zyrtarisht prej meje për katet shtesë pa leje, por që prej 8 muajsh bën sikur nuk kupton dhe nuk vepron për të zbatuar ligjin, detyrohet të mos miratojë leje ndërtimi për kate shtesë, të cilat në fakt ishin ndërtuar, duke argumentuar se “ndryshimi i projektit të propozuar nuk është në përputhje me nenin 17 të Vendimit nr. 408/2015 të Këshillit të Ministrave, ku theksohet se nuk mund të shtohen më shumë se 2 % e sipërfaqes totale të ndërtimit.

10 ditë pasi Bashkia e Tiranës detyrohet të mos e miratoi lejën e ndërtimit për shtimin e disa kateve, Edi Rama vendos Qeverinë në dispozicion të kompanisë ndërtuese “Kastrati” shpk, duke ndryshuar pikërisht nenin 17 të VKM, që pengonte Bashkinë e Tiranës në ligjërimin e 5 kateve që ishin ndërtuar pa leje, duke hequr kriterin që shtesa nuk mund të jetë më shumë se 2 %. Është VKM nr. 457/29 Qershor 2022.

Ky është rasti tipik i korrupsionit, që literatura e njeh si “kapje e shtetit” ose ndryshe përcaktimi i rregullave shtetërore sipas interesave klienteliste të një apo disa personave të identifikuar.

Mirëpo, pas denoncimit të bërë në seancën plenare të datës 14 Korrik, vendimi i qeverisë i datës 29 Qershor, nuk ia zgjidhte dot më problemin ndërtuesve të gradacelave pa leje në Tiranë, sepse miratimi i një shtesë leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë kërkon paraprakisht verifikimin e ndërtimit për efekt të respektimit të lejes së parë, dhe nëse ndiqej procedura pas publikimit të pamjes së ndërtimit, rezultonte i provuar denoncimi i bërë që katet shtesë ishin shtuar paraprakisht dhe ky fakt ishte tashmë publik.

Pas denoncimit në Kuvend, në rrugë zyrtare informova përsëri me shkrim Kryeministrin, Prokurorin e Përgjithshëm; Ministrin e Brendshëm; Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit; Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit; Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë së Tiranës, duke i kërkuar informacion edhe për masat që kishin marrë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe institucioni në varësi të tij, IKMT, në kushtet e shpërdorimit të detyrës, kanë refuzuar jo vetëm të marrin masa për të zbatuar ligjin në rastin konkret, por kanë refuzuar edhe të dërgojnë informacionin zyrtar të kërkuar.

Prokurori i Përgjithshëm më ka kthyer përgjigje dhe e dini cfarë më thotë: Nuk kam dëgjuar gjë, nuk e ngre dot kokën të shoh paligjshmërinë e të numëroj katetet pa leje në gradacelat e Tiranës, sepse nuk është puna ime. Pra praktikisht më konfirmon atë që unë paralajmërova paraprakisht, që nuk vepron dot pa lejen e Edi Ramës, nuk e ngre dot kokën të shoh paligjshmërinë e oligarkëve që Edi Rama i ka dhënë statusin “i paprekshëm”. Edhe pse në fakt unë kam bërë një kallëzim të një vepre penale, në prezencën e Prokurorit të Përgjithshëm dhe ai si zyrtar i shtetit, ka detyrimin ligjor që kallëzimin tim verbal përpara tij dhe informacionin e marrë për shkak të detyrës së tij shtetërore në seancën plenare të datës 14 korrik, ta referojë në prokurorinë kompetente për verifikim.

Ministri i Brendshëm, ekzaktësisht i njëjti që pozon me kamera e fotografë për propagandë përpara një pallati në Farkë, me kthen përgjigje dhe e dini cfarë thotë: Më duhen më shumë të dhëna që të kem mundësi ta gjej, sepse nuk e gjen dot se ku ndodhet kjo gradacelë në mes të Tiranës. Edhe ai bën sikur nuk ka dëgjuar, bën sikur nuk ka parë, sepse nuk vepron dot pa lejen e Edi Ramës, nuk zbaton dot ligjin për oligarkët që Edi Rama që i ka dhënë statusin “të paprekshëm”. I kam kthyer përgjigje zyrtare me shkrim, por një përgjigje po ia jap edhe publikisht: Mqs nuk e ke gjetur dot, mqs nuk e ke parë, ngrihu tani nga karrigia e zyrës tënde, dil në dritaren e zyrës, ngrije kokën dhe e ke përpara syve të tu.

Ndërkohë që Edi Rama, nuk kthen përgjigje, sepse si “shtetatar” ai shprehet me akte, me vendime qeverie. Dhe përgjigjen e dha më datë 7 Shtator 2022, ku miratoi vendimin nr. 589, duke konfirmuar se milionerët, miq të tij, gëzojnë statusin “të paprekshëm” dhe janë të ndryshëm nga 3 milion shqiptarët e tjerë, që nuk janë pjesë e oborrit të interesave të tij financiare.

Këtë akt për favorizimin e oligarkëve apo milionerëve, miq të Edi Ramës, zyra e tij e propagandës e shiti si “luftë të paparë kundër milionerëve”. E vërteta është që akti provon që milonerët e Edi Ramës që kanë ndërtuar kulla pa leje në mes të Tiranës, janë të ndryshëm nga 3 milion shqiptarët e tjerë dhe vecanërisht janë të ndryshëm nga 3304 qytetarë që kanë shkuar në burg pse kanë rregulluar pa leje catinë e shtëpisë së tyre.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT