Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me kryebashkiakët, ku u diskutuan prioritetet e pushtetit vendor dhe projektet e ardhshme për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve për qytetarët.
Në fjalën e tij, Rama theksoi rëndësinë e mbrojtjes nga zjarri, pastrimit të kanaleve dhe përfundimin e sistemit të adresimit. Ai paralajmëroi shpërndarjen e një flote të re automjetesh për pastrimin e kanaleve dhe menaxhimin e ujitjes, duke siguruar mbështetje të drejtpërdrejtë për bashkitë.
“Do të ketë penalizime për kë nuk bashkëpunon me pushtetin vendor për t’u bërë pjesë e sistemit të adresave. Është e domosdoshme që bashkitë të angazhohen në këtë proces,” tha Rama, duke shtuar se një projekt për mobilizimin e mjeteve zjarrfikëse do të finalizohet në muajt e ardhshëm.
Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e përmirësimit të shërbimeve të kadastrës dhe legalizimeve, duke ofruar mundësinë që bashkitë të marrin mbështetje nga zyra juridike për përshpejtimin e procesit dhe trajtimin e ankesa e qytetarëve.
Takimi u zhvillua në një klimë koordinimi mes qeverisë dhe pushtetit vendor, me fokus në zgjidhjen e problematikave të trashëguara dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.






