16.5 C
Tiranë
Friday, September 20, 2024
spot_img

Rama i kujton Bashës bisedën nga takimi i tyre në 2017: “Më thoje më jep fjalën që nuk do të qeshësh kur të dalim jashtë”

Kryeministri Edi Rama ka kërkuar nga lideri opozitar, Lulzim Basha, që të mos e humbasin fokusin kur flasin për çështje të caktuara në Kuvend, por të merren në atë që është parashikuar në rend dite.

Po ashtu, ai tregoi detaje nga takimi i tyre në 2017, ku sipas Ramës, Basha i kërkonte që pas takimit të mos qeshte pasi nuk e përballonte dot.

“ Dhe që kur jemi takuar bashkë mbaja sytë përtokë, e ti më shikoje në bebe të syrit. Si e analizoje që unë kisha sytë përtokë e ti më shije në bebe këto janë cilësia e nxënësit të mirë. Këto detaje nuk jepen, por më detyron. Unë dje u ngrita dhe fola vetëm për buxhetin. Të kam thënë që mos më ço tjetër kund se nuk ia del dot me mua. Do të flasim për buxhetin, PPP, oligarkët? Jam në dispozicion, por kur ti thua ato që thua, unë pavarësisht se eksperiencash, moshës dhe dëshirave që rriten me kohën për të mos qenë ai që kam qenë unë prapë ai jam.

Kur them mbaja sytë përtokë, mu kujtua se përse ne nuk dolëm në konferencë shtypi kur përfunduam marrëveshjen. Sepse më thoje më jep fjalën që nuk do të qeshësh kur të dalim jashtë. Më the që e ke këtë, është vetija jote, por nuk e duroj dot. Nëse do të dalësh për gjë tjetër, këtu më ke. Edhe kur thua për qytetarët, ti konsideron gabimisht vulgaritet, një gjë që s’ka lidhje fare me vulgaritetin, por ka të bëjë me komunikimin me njerëzit realë. Duhet të ketë një arsye se më pas kur vjen puna te vota ti merr aq sa merr, e ne aq sa marrim. Të jesh i bindur që nuk është masakra zgjedhore.

Unë për njerëzit flas, edhe kur flas këto që fola deri tani, sepse mundohem të ndaj me ta atë që mendoj, lidhur me këtë paçavure politike që bëhet këtu. Mos më tërhiq në duele të pamundura për ty, e mos u bëj fare dhe mos i hy asaj rruge që të bësh humor, sepse nuk di. kur po thoshe që unë i referohem realizmit socialist, më kujtove Koçin, personazhin e realizmit socialist. E morën për dhëndër e donin t’ia nxirrnin fshatit, e si shkuan gjërat më pas nuk kanë rëndësi. Pasi thua gjëra që nuk thuhen këtu, thua që nuk ma lejon edukata dhe më kujton ato gratë që zihen për flokësh dhe i thonë njëra tjetrës që nuk ma lejon edukata të merrem me ty o gaxhie. Edukata tregohet. Deri përpara se të merrja fjalën ishe si ai komplet, asnjë ndryshim.

Derisa të merrja unë fjalën e sa ke hyrë në Kuvend ti thjesht e përsërit si kopje atë që ka qenë ustai yt dhe që nuk ka rëndësi fare kur thua se po ndahesh, por bëj kujdes që të mos mbetet në gjuhën tënde, mendjen tënde dhe mënyrën se si komunikon me të tjerët. Sepse në të gjitha këto je një kopje qesharake e tij. Kur ngrehesh dhe ul kundërshtarët si kriminelë dhe si të sëmurë, je si ai, asnjë ndryshim. Nëse do të flasim për buxhetin, kur të çohesh këtu fol për temën dhe mos u merr me sulme personale e akuza për ato që po shkon në gjykatë, edhe mirë e bën dhe mos u merr me sjelljen këtu të atij llumi të komunikuari e bashkëjetuari ku jeni rritur ju me atë ustain që i mbani iso nga mëngjesi në darkë, që flisni për llogari të tij shumë budallëqe edhe bëni garë se kush është më shumë në zemrën e tij. Këtë e shohin të gjithë dhe e dëgjojnë të gjithë. Asnjë nga ne, nuk mund të japi vendimin final për njëri-tjetrin. Ata që japin vendimin e na dëgjojnë nuk rezulton që të kenë dhënë ndonjëherë për ty një vendim në favor”, tha Rama.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT