Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar ashpër kryeministrin Edi Rama për dështim në procesin e integrimit europian, duke e cilësuar situatën si një “zhvillim dramatik” për vendin.
Në deklaratën e tij, Berisha u shpreh se raporti IBAR nuk ka marrë mbështetjen e disa vendeve anëtare të Bashkimit Europian, të cilat, sipas tij, kanë ngritur shqetësime serioze mbi standardet dhe kriteret e integrimit. Ai falënderoi këto vende për, siç tha, insistimin që procesi të bazohet në meritë.
“Procesi i bazuar në meritë është interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë. Ndërsa procesi jashtë meritës është ndëshkim për ta dhe mbështetje për korrupsionin qeveritar”, deklaroi Berisha.
Më tej, ai akuzoi Ramën se e ka kthyer Shqipërinë në një “piramidë mashtrimi” dhe në një “çiflig personal”, ndërsa e cilësoi atë si “pengmarrësin më të madh të vendit pas Enver Hoxha”.
Sipas tij, Partia Demokratike do të vijojë të ketë si objektiv kryesor integrimin e vendit në Bashkimin Europian, por vetëm mbi bazën e meritës dhe përmbushjes së standardeve.






