TIRANË
Kryeministri Edi Rama shprehu bindjen dhe kërkoi besim se Shqipëria e 2030 do të jetë një vend modern në aspektin e marrëdhënieve të shtetit me qytetarin, në pikën që korrupsioni si një sëmundje e shumëpërfolur dhe e kudondodhur do të jetë histori.
Ai tha në konferencën Kombëtare për Antikorrupsionin se lufta me korrupsionin do të vazhdojë në nivele të tjera siç zhvillohet në Amerikë ku ka korrupsion sa të duash, siç zhvillohet në Europë, në BE ku ka korrupsion sa të duash, por që është i një niveli krejt tjetër.
“Të gjitha temat që kanë të bëjnë me sistemin e korrupsionit dhe luftës ndaj korrupsionit do të preken në detaje, por dua të mbyll me platformën e bashkëqeverisjes e cila iu ka dhënë një njerëzve një instrument gjithmonë e më të besueshëm dhe sot ka më shumë rëndësi sepse të gjitha shërbimet janë online. Sot kemi hipotekën online.
Cikli nuk është ende i mbyllur, ti aplikon online, por do ta presësh përgjigjen me postë në shtëpi. Në gjithë këtë proces ka jo pak raste kur afatet shkelen, kur shërbimi nuk merret, për këtë arsye platforma është aty. Nga ndërveprimi i qytetarit që nuk e ka marrë shërbimin dhe qeversië që është aty, në mënyrë që qytetarët të marrin atë që iu takon pa humbur kohë, pa paguar dhe pa qenë fare e nevojshme as të kenë një mik, as një mbiemër të njohur dhe as të jenë të lidhur me një parti apo një parti tjetër.
Do ta mbyllja fjalën me bindjen se procesi i transformimit për ta çliruar vendin tonë nga kjo sëmundje shekullore, që është një sëmundje e prapambetjes unë nuk jam dakord me teorinë që janë disa popuj më të korruptuar se të tjerët, se hajde marrim ca gjermanë t’i fusim te hipoteka e Sarandës, t’i lëmë nja 40 ditë aty e do shikoni ju se çfarë gjermanësh do jenë ata. Ndërkohë që hajde t’i marrim nga hipoteka e Sarandës disa shqiptarë, t’i çojmë t’i fusim në hipotekë në Gjermani dhe s’do t’i shkojë mendja që të kërkojnë lekë sepse është sistemi i tillë që nua ua bën të mundur. Pra nuk është çështjes popujsh që kanë prirje të ndryshme, por çështje sistemesh.
Në rrugën që ne jemi pa asnjë diskutim do ta ndërtojmë sistemin në bekimin e madh të teknologjisë. Të jep mundësinë të bësh kapërcime që nuk do i bëje dot kurrë. Pasi zhvillimi linear hap pas hapi me mjete tradicionale do ta bënte të pamundur që në një hark kohor të arsyeshëm një vend si Shqipëria të arrinte botën. Duhet të kemi shumë besim, shumë vullnet dhe bindjen e plotë se Shqipëria e 2030 do të jetë një vend modern në aspektin e marrëdhënieve të shtetit me qytetarin, në pikën që korrupsioni si një sëmundje e shumëpërfolur dhe e kudondodhur do të jetë histori dhe patjetër lufta me korrupsionin do të vazhdojë në nivele të tjera siç zhvillohet në Amerikë ku ka korrupsion sa të duash, siç zhvillohet në Europë, në BE ku ka korrupsion sa të duash, por që është i një niveli krejt tjetër dhe nuk prek në mënyrë të drejtpërdrejt të drejtat e qytetarëve që janë të barabartë para ligjit dhe që janë të garantuar në të drejtën e tyre”, deklaroi kryeministri Rama.