Nga Asambleja e Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama ka vendosur kriteret për kandidatët që synojnë një tjetër mandat në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm.
Sipas Ramës, rikandidimi i kryetarëve të bashkive do të jetë i kushtëzuar nga realizimi i projekteve të caktuara: “Nuk do të ketë asnjë kandidat për t’u rikandiduar si kryetar bashkie pa 10 kontrata të firmosura në kuadër të paketës së maleve dhe pa 3 ndërmarrje të përbashkëta të miratuara”, tha ai.
Kryeministri theksoi se kjo është e domosdoshme për të garantuar shfrytëzimin e territorit rural pas reformës territoriale: “Është e pamundur që kjo gjë të thuhet dhe stërthuhet dhe ndërkohë reforma territoriale i vendosi bashkive në qendër gjithë atë territor rural në dispozicion dhe ai territor shikohet vetëm për punët komunale. Ky është një kusht që të gjithë duhet ta mbajnë parasysh nëse duan të rikandidojnë përsëri.”
Deklarata e Ramës vendos një standard të qartë për kandidatët dhe sinjalizon se prioritet i mazhorancës mbetet menaxhimi efektiv i projekteve të bashkive dhe realizimi i investimeve të planifikuara.






