Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku u prezantua nisma ligjore për ndryshime në ligj lidhur me pezullimin e zyrtarëve të lartë.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se problematika lidhet me interpretimin e frymës së Kushtetutës dhe ndarjen e pushteteve.
“Boshllëku ndodhet në trutë e atyre që nuk i dhanë drejtim bazuar në frymën e Kushtetutës dhe modelin e ndarjes së pushteteve në të gjithë planetin. Natyrisht kur them boshllëku kam parasysh jo persona të veçantë por kulturën e dobët demokratike dhe të shtetit ligjor që ka Shqipëria për shkak të traditës.”
Kreu i qeverisë theksoi se pezullimi nga një prokuror apo gjykatës në një seancë paraprake, para nisjes së gjyqit, për një anëtar të kabinetit qeveritar është i papranueshëm, pasi sipas tij nuk cenon individin, por funksionin që ai ushtron.
“Ai që e bën të papranueshëm pezullimin… është fakti që pezullimi nuk cënon personin. Pezullimi cënon funksionin.”
Rama argumentoi se një ministër nuk mund të zëvendësohet thjesht përmes pezullimit, pasi sipas tij kjo paralizon funksionimin e institucionit përkatës.
“Nuk pezullohet vetëm vajtja në punë e një individi, por puna e institucionit. Ajo ministri nuk ka më kapacitet të propozojë asgjë në Këshillin e Ministrave.”
Në përfundim, ai e cilësoi debatin si të panevojshëm dhe absurd, duke theksuar se çështja duhet të ishte sqaruar mbi bazën e parimeve kushtetuese dhe të ndarjes së pushteteve.






