Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga kantieri i aksit të ri të Korridorit VIII (Elbasan – Qafë Thanë), duke theksuar ecurinë e punimeve dhe zbatimin e standardeve europiane, ndërsa projektin e ka lidhur edhe me sigurinë kolektive të NATO.
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama iu referua debatit publik mbi rrëshqitjen e dheut në segmentin e vjetër të rrugës, duke sqaruar se fenomeni “nuk ka asnjë lidhje me investimin e ri madhor”. Ai shtoi se ndërhyrja e segmentit të vjetër ishte e përkohshme dhe e izoluar, ndërsa projekti i ri po ndërtohet sipas parametrave bashkëkohorë të infrastrukturës rrugore.
Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu rëndësinë e mbrojtjes lumore përgjatë aksit Elbasan – Qafë Thanë dhe Elbasan – Lekaj, që po zbatohet në disa lote dhe faza.
Ndërkohë, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) njofton se vijon puna 24-orëshe për rikthimin e qarkullimit normal pas rrëshqitjes së dherave në zonën Arrat e Gurrës, aks Librazhd – Prrenjas. Aktualisht po punohet për pastrimin e sipërfaqes së rrugës dhe devijimin e rrjedhës së lumit, ndërsa pritet të fillojnë punimet për trupin e rrugës alternative pas rishikimit të projektit në këtë zonë.






