Një zyrtar i lartë izraelit ka konfirmuar se është gjetur trupi i pajetë i liderit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, raporton Reuters.
Media shtetërore iraniane, duke cituar zyrën e marrëdhënieve me publikun të liderit suprem, paralajmëroi: “Armiku po përdor lojëra psikologjike, kështu që të gjithë duhet të bëjmë kujdes”. Më herët, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha për mediat se Khamenei “nuk është më me ne”.
Sulmet ajrore izraelite dhe amerikane ndaj Iranit kanë nisur që nga orët e para të mëngjesit, ndërsa Republika Islamike ka kundërpërgjigjur duke bombarduar qytete dhe baza amerikane në Lindjen e Mesme.
Reagimi i Trump
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha në një intervistë për Axios se “ka disa rrugë përpara në një luftë kundër Iranit, përfshirë një përpjekje afatgjatë për të marrë kontrollin e vendit”. Ai shtoi: “Unë mund ta zgjas (luftën) dhe të marr kontrollin e të gjithë vendit, ose ta përfundoj në dy ose tri ditë dhe t’u them iranianëve: ‘Shihemi përsëri pas disa vitesh nëse filloni të rindërtoni’ kapacitetet bërthamore të vendit”.
Trump paralajmëroi gjithashtu se mund të duhen “disa vjet” që Irani të rimëkëmbet nga sulmi i përbashkët SHBA-Izrael, duke përmendur mungesën e përparimit në bisedimet mbi ambiciet bërthamore të Iranit. Ai shtoi se ofensiva do të varet nga zhvillimet në terren, përfshirë fatin e udhëheqësit suprem, Ali Khamenei.






