Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka akuzuar ashpër presidentin venezuelian Nicolás Maduro për refuzim të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara në luftën kundër narkoterrorizmit.
Gjatë një deklarate publike, Rubio theksoi se vetëm regjimi i Maduro-s nuk kontribuon në betejën globale kundër trafikut të drogës. “Ka një vend që nuk bashkëpunon dhe ai është regjimi ilegjitim në Venezuelë. Jo vetëm që nuk bashkëpunon me ne, por bashkëpunon hapur me terroristë dhe elementë kriminalë,” u shpreh ai.
Sekretari amerikan shtoi se mungesa e bashkëpunimit nga Karakasi përbën një kërcënim serioz për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare, duke lejuar që rrjetet e trafikut të drogës dhe grupet kriminale të veprojnë pa pengesa.
Deklaratat e Rubio-s vijnë ndërkohë që administrata amerikane po rrit presionin diplomatik ndaj regjimit të Maduro-s, të cilin Uashingtoni e konsideron të paligjshëm dhe e akuzon për shkelje të të drejtave të njeriut dhe lidhje me krimin e organizuar.






