Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, hapi zyrtarisht fushatën e PD-së me një fjalim emocional dhe të fuqishëm drejtuar qytetarëve të Tiranës, duke shprehur mirënjohje për mbështetësit e rinj dhe angazhimin e tyre në këtë fazë të re politike. Në një shesh të mbushur plot, Berisha e nisi fjalimin e tij me përshëndetje të përzemërta dhe vlerësime për pjesëmarrësit:
“Mirëmbrëma qytetarë të Tiranës. E keni bërë sot këtë shesh më të bukurin në Europë. Përshëndetje të sinqerta të rinjve të PD-së, krenaria jonë kombëtare.”
Berisha nuk la pa përmendur Chris La Civita, kreun e Komitetit të Partisë Republikane në SHBA dhe strategun e rikthimit të Donald Trump, duke e konsideruar një simbol të përpjekjes për ringritje:
“Urimet më të përzemërta z. Chris La Civita, arkitekti i rikthimit më të jashtëzakonshëm të presidentit Donald Trump. Sonte jam më i emocionuar se asnjëherë.”
Në thelb të mesazhit të tij ishte vizioni për “Shqipërinë Madhështore”, të cilën ai e përkufizoi si një vend që ngrihet mbi vlerat e shpirtit, dashurisë për familjen, lirinë dhe atdhetarinë:
“Shqipëria Madhështore është Shqipëria e shpirtit tuaj. Është Shqipëria e dashurisë tuaj për të. E dashurisë për familjen. E atdhetarisë tuaj. E idealeve të lirisë.”
Duke hyrë në akuza direkte ndaj kryeministrit Edi Rama, Berisha solli në vëmendje emra të përfolur si Ilir Beqaj, Erion Veliaj dhe Charles McGonigal, të cilët sipas tij përfaqësojnë një “krah tjetër” të korruptuar:
“Imagjinoni Edi Ramën që ka në krah Veliajn, Çyrbjen, Ilir Beqajn, por ka në krah edhe McGonigalin. E shumë e presin. Edi Rama, sonte e ka të vështirë natën.”
Ai theksoi se koha e regjimit të “narkoshtetit” po i afrohet fundit dhe se shqiptarët janë gati për të rikthyer një Shqipëri të lirë dhe demokratike:
“Këto vite, e keqja e vuri para vendin tonë. 12 vite të shkretimit, të varfërimit, të mafies. Por sonte ne nisemi për betejën e fitores, betejën e Shqipërisë Madhështore. Shqipëria ngrihet përsëri.”
Fjalimi i Sali Berishës është parë si një përpjekje për të galvanizuar opozitën dhe për të nisur një etapë të re për PD-në, me theks të veçantë te uniteti, liria dhe rikthimi i shpresës për qytetarët.