12.5 C
Tiranë
Tuesday, March 18, 2025
spot_img

Seanca e fundit Plenare, Spiropali:”Nga një ëndërr, anëtarësimi europian është tashmë një realitet”

 

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, gjatë fjalës së saj në seancën e fundit plenare para zgjedhjeve, ka falënderuar kolegët deputetë për kontributin dhe veprimtarinë e tyre. Ajo ka uruar suksese atyre që do të kandidojnë për deputetë, ndërsa ata që mbetën jashtë liste i ka falënderuar për kontributin, duke theksuar se do u mungojnë komisioneve parlamentare dhe sallës së Kuvendit.

Spiropali ka shprehur falënderime të veçanta për ish Kryetaren, znj. Lindita Nikolla, për drejtimin e Kuvendit me përkushtim, kompetencë e integritet gjatë tre viteve të legjislaturës, si dhe për zëvendëskryetarët e Kuvendit, Ermonela Felaj, Bledi Çuçi, Enkelejd Alibeaj dhe Agron Gjekmarkaj, për përkushtimin dhe bashkëpunimin e tyre. Ajo falënderoi gjithashtu kryetarët e grupeve parlamentare dhe të komisioneve të përhershme, të posaçme dhe hetimore të Kuvendit për angazhimin e tyre në shërbim të qytetarëve.

Në fjalimin e saj, Kryetarja Spiropali ka theksuar se legjislatura e dhjetë e Kuvendit të Shqipërisë ka pasur një fokus të veçantë në integrimin europian të Shqipërisë. Nga një ëndërr, anëtarësimi europian është tashmë një realitet, dhe gjatë kësaj legjislature Shqipëria ka bërë hapa të mëdha para për të arritur në portat e Bashkimit Europian. Spiropali ka përmendur se përmbushja e këtij procesi është shprehur nga ngjarje historike, si Konferenca e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së më 19 korrik 2022 në Bruksel, dhe hapja e Zyrës Rajonale të Parlamentit Europian në Tiranë. Ajo nënvizoi se objekti strategjik kombëtar për Shqipërinë, anëtarësimi në BE brenda vitit 2030 dhe mbyllja e negociatave teknike brenda vitit 2027, ka marrë mbështetje nga institucionet europiane.

Spiropali ka përmendur se gjatë kësaj legjislature Kuvendi ka punuar jashtëzakonisht fort për harmonizimin e legjislacionit me Bashkimin Europian, dhe Komisioni për Çështjet Europiane ka shqyrtuar 121 projektligje me përafrim gjatë legjislaturës, me një intensifikim të vazhdueshëm të këtij procesi çdo vit. Ajo vuri në dukje se edhe pse Kuvendi nuk ka pasur gjithmonë mirëkuptim të ndërsjelltë, ka arritur bashkëpunim për Shqipërinë europiane, dhe Kuvendi i ri duhet t’i dorëzojë një Shqipëri të gatshme për t’u pranuar në familjen europiane.

“Zonja e zotërinj deputetë, Dëshiroj t’ju falenderoj të gjithëve për bashkëpunimin tuaj gjatë periudhës kur pata nderin dhe përgjegjësinë të drejtoj Kuvendin e Shqipërisë.
Ju vlerësoj për mbështetjen, por edhe për kritikat dhe kundërshtimet, sa kohë që ato kanë qenë në pajtim me etikën parlamentare, njerëzore e shoqërore.
Falenderoj ish Kryetaren, znj. Lindita Nikolla, për drejtimin me përkushtim, kompetencë e integritet të Kuvendit gjatë tre viteve të legjislaturës.
Falenderoj zëvendëskryetarët e Kuvendit Ermonela Felaj, Bledi Çuçi, Enkelejd Alibeaj dhe Agron Gjekmarkaj, kryetarët e grupeve parlamentare dhe të komisioneve të përhershme, të posaçme e hetimore të Kuvendit, për përkushtimin dhe bashkëpunimin e tyre.
Falenderoj të gjithë ju, për kontributin në veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë në shërbim të qytetarëve.
Atyre që do të rizgjidhen në legjislaturën e re, u uroj suksese në vazhdimin e karrierës parlamentare.
Për ju, të dashura kolege e kolegë që nuk keni dëshiruar të vijoni karrierën parlamentare si edhe për ju që nuk do të mund të rizgjidheni, ju uroj nga zemra mbarësi dhe vijim të shërbimit tuaj ndaj Shqipërisë, në detyra të tjera. Ju keni shërbyer me përkushtim në Kuvendin e Shqipërisë dhe do i mungoni komisioneve dhe kësaj salle”, tha Spiropali.
Në këtë seancë të fundit plenare para zgjedhjeve të 11 majit dëshiroj të nënvizoj disa tipare të kësaj legjislature dhe të hedh një vështrim mbi kontributin e saj në zhvillimin e vendit.
Legjislatura e dhjetë e Kuvendit të Shqipërisë ka qenë më tepër se çdo legjislaturë tjetër dedikuar integrimit europian të Shqipërisë.
Nga një ëndërr, anëtarësimi europian është tashmë një realitet. Gjatë kësaj legjislature e shpumë Shqipërinë para portave të Bashkimit Europian.
Nga 19 korriku i vitit 2022, kur në Bruksel u mbajt Konferenca e Parë Ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe BE-së, dhe deri në lajmin e fundit mbi hapjen në Tiranë të Zyrës Rajonale të Parlamentit Europian, përjetuam një fazë historike tepër të rëndësishme të rrugëtimit tonë europian.
Objektivi ynë strategjik kombëtar, Shqipëria në BE brenda vitit 2030 dhe mbyllja e negociaatve teknike brenda vitit 2027 ka mbështetjen e institucioneve europiane.

Spiropali ka vlerësuar gjithashtu rëndësinë e reformës në drejtësi gjatë kësaj legjislature, duke theksuar se procesi i vetting-ut ka përfunduar me sukses dhe ka nxjerrë rreth gjysmën e trupës së gjyqtarëve dhe prokurorëve nga sistemi i drejtësisë. Ajo ka theksuar se reforma në drejtësi është bërë një referencë për konsolidimin e institucioneve të tjera demokratike dhe që duhet të vazhdojmë për të garantuar rritjen e integritetit të institucioneve të drejtësisë dhe dhënien e drejtësisë së shpejtë, me një sistem që të respektojë ligjin dhe të drejtat themelore të njeriut.

Ajo ka folur gjithashtu për reformën zgjedhore, e cila mundësoi votimin e Diasporës nga jashtë vendit dhe për masat për mbështetjen e emigrantëve shqiptarë, përfshirë nënshkrimin e 16 marrëveshjeve me vende të huaja për njohjen e ndërsjelltë të pensioneve, që përfitojnë mbi 800 mijë bashkëatdhetarë. Marrëveshja për pensionet me Italinë do të shërbejë për mbi 500 mijë emigrantët shqiptarë në Itali dhe një marrëveshje e ngjashme me Greqinë pritet të mbyllet gjatë legjislaturës së ardhshme.

Në lidhje me dialogun parlamentar, Spiropali ka shprehur zhgënjim për faktin se ai nuk ka qenë siç dëshironin të gjithë dhe as siç prisnin qytetarët. Ajo theksoi se përpjekjet për konsensus janë dëmtuar nga gjuhën e ashpër të urrejtjes, vulgaritetin dhe dhunën, dhe shprehu shpresën se normaliteti do të vijojë gjatë legjislaturës së re.

Spiropali ka vlerësuar gjithashtu fuqizimin e funksionit të kontrollit parlamentar, si dhe ngritjen e katër komisioneve hetimore dhe pesë komisioneve të posaçme parlamentare, që janë kthyer në burime të çmuara ekspertize për Shqipërinë. Bashkëpunimi me Kuvendin e Kosovës ka arritur kulme të reja, me marrëveshje të reja dhe takime të përbashkëta që kanë theksuar rëndësinë e një partneriteti të ngushtë dhe mbështetjen për rolin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Përfundimisht, Spiropali ka theksuar se Kuvendi i Shqipërisë ka mbështetur përpjekjet për të shndërruar Shqipërinë në një qendër dhe faktor të zhvillimeve rajonale dhe ka mbrojtur të drejtat e pakthyeshme të shqiptarëve, duke nxitur gjithashtu rolin e faktorit shqiptar në rajon, përfshirë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, si faktor zhvillimi dhe sigurie.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT