Ka nisur seanca e radhës plenare në Kuvend, ku në Rendin e Ditës janë parashikuar 14 pika, ndërsa diskutimet pritet të shoqërohen me tension dhe debate politike.
Një nga çështjet më të nxehta të seancës është diskutimi për ndryshimet në Komisionin e Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale. Mazhoranca socialiste ka propozuar ndryshimin e formulës së përbërjes së komisionit, duke kaluar nga ndarja 50:50 mes mazhorancës dhe opozitës, në një raport 9 anëtarë për mazhorancën dhe 8 për opozitën.
Gjithashtu, socialistët propozojnë ndryshim edhe në drejtimin e komisionit, ku nga modeli aktual me dy bashkëkryetarë, kryetari të jetë përfaqësues i Partisë Socialiste, ndërsa opozita të ketë rolin e nënkryetarit. Sipas mazhorancës, këto ndryshime synojnë vijimin normal të punës së komisionit.
Debati vjen pas bojkotit të mbledhjes së djeshme të Komisionit të Posaçëm nga opozita. Socialistët kanë bërë të qartë se nuk do të tërhiqen nga kërkesa dhe se propozimi do të shqyrtohet sot në seancë plenare.
Përveç Reformës Administrativo-Territoriale, Kuvendi do të diskutojë edhe ndryshimet në ligjin “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, si dhe në ligjin “Për mbrojtjen nga diskriminimi”.
Në axhendë është parashikuar edhe një interpelancë me Ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, e kërkuar nga deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi.
Pika të tjera të rëndësishme në Rendin e Ditës janë edhe Projektligji “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, si dhe Projektvendimi “Për ngritjen e Nënkomisionit për Zhvillim të Qëndrueshëm” në kuadër të Komisionit të Përhershëm Parlamentar për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm.






