1.5 C
Tiranë
Sunday, November 24, 2024
spot_img

Sejko: Shqipëria regjistron rekorde në turizëm dhe suficit në llogarinë korrente

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë fjalës së tij në takimin e Konstituencës së përbashkët në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, theksoi se Shqipëria ka përjetuar një rritje të shkëlqyer në sektorin turistik, duke shënuar një rekord prej rreth 10 milionë vizitorësh. Gjithashtu, vendi u radhit në vendin e tretë në botë për rritjen më të shpejtë të turizmit dhe për herë të parë në historinë e vet, regjistroi suficit në llogarinë korrente.

Sejko vuri në dukje nevojën për të luftuar inflacionin dhe për të përqendruar përpjekjet drejt rindërtimit të hapësirave fiskale për të përballuar sfidat e ardhshme. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e politikave financiare të fokusohen në progresin financiar dhe në parandalimin e rreziqeve ndaj stabilitetit financiar.

Në lidhje me politikat strukturore, Sejko theksoi rëndësinë e stimulimit të inovacionit, trajnimit të fuqisë punëtore, dhe tranzicionit drejt ekonomisë së gjelbër dhe revolucionit teknologjik. Ai përfundoi duke thënë se Shqipëria duhet të orientohet drejt mbylljes së boshllëqeve të investimeve në infrastrukturë dhe krijimit të një ambienti të favorshëm për investime të brendshme dhe të huaja.

Viti 2023 u mbyll me një rritje ekonomike rreth nivelit 3.5%, me një normë papunësie në minimumet e veta historike, si dhe me një borxh të huaj, borxh publik dhe tregues të kredive me probleme, poshtë niveleve që kishin përpara goditjeve. Në veçanti, inflacioni u përgjysmua gjatë vitit të shkuar, duke zbritur në nivelin 4%, ndërsa treguesit e shëndetit të sektorit bankar mbeten pozitivë. Një surprizë e vitit 2023 ishte rritja e interesit të të huajve për vendin tonë. Shqipëria mirëpriti rreth 10 milionë vizitorë, duke u ngjitur në vendin e tretë në botë për rritjen më të shpejtë të turizmit dhe duke regjistruar – për herë të parë në historinë e vet – suficit të llogarisë korrente. Gjithashtu, viti 2023 është në rrugë të mbarë për të qenë viti me nivelin më të lartë të investimeve të huaja direkte, duke dëshmuar edhe njëherë atraktivitetin e Shqipërisë si destinacion investimi.

Banka e Shqipërisë ka dhënë kontributin e saj në këtë histori suksesi. Ne kemi adresuar në kohë rritjen e inflacionit, duke nisur rrugën e një normalizimi gradual dhe të kujdesshëm të qëndrimit të politikës sonë monetare. Në koherencë të plotë me të, mbikëqyrja dhe rregullimi i kujdesshëm i sektorit bankar dhe investimi i vazhdueshëm në zhvillimin e sistemit të pagesave, në inovacionin dhe digjitalizimin e shërbimeve financiare, kanë kontribuuar në zhvillimin e sektorit financiar dhe forcimin e stabilitetit të vendit.

Perspektiva e Shqipërisë mbetet pozitive. Megjithatë, eksperienca e viteve të fundit na ka mësuar se goditjet e sfidat, sado të largëta të duken, nuk do të mungojnë as në të ardhmen. Në këtë pikë, më lejoni ta zgjeroj disi optikën e diskutimit. Prej kohësh tashmë, rritja e ulët e produktivitetit, efektet e plakjes së popullsisë dhe kufizimet e fuqisë punëtore, po bëhen faktorë gjithnjë e më të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomive të Konstituencës sonë. Po ashtu, fragmentimi gjeopolitik dhe efektet e ndryshimeve klimatike, po shndërrohen në sfida të së tashmes.

Por, çfarë nënkuptojnë këto sfida për ne si politikëbërës? Përgjigjja është sa e drejtpërdrejtë aq edhe komplekse: ne duhet të sigurojmë stabilitet ekonomik e financiar, të krijojmë ekonomi më eficiente, novatore e gjithëpërfshirëse, si dhe të investojmë në revolucionin e gjelbër dhe atë digjital. Më lejoni të jem disi më konkret.

Së pari, si banka qendrore, ne duhet të çojmë deri në fund luftën kundër inflacionit. Trendi rënës i tij është lajm i mirë, por një inflacion në rënie nuk është një inflacion në objektiv. Prandaj, bankat qendrore duhet të vijojnë të fokusohen në marrjen e masave të nevojshme për kthimin e inflacionit në objektiv, si parakusht për rritjen e qëndrueshme të ekonomive dhe të mirëqenies së qytetarëve.

Së dyti, ne duhet të këmbëngulim për të rindërtuar në kohë hapësirat fiskale, në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur për përballimin e goditjeve të ardhshme.

Së treti, politikat financiare duhet të vazhdojnë të kenë një fokus të dyfishtë: nga njëra anë, incentivimin e progresit financiar në funksion të rritjes së eficiencës dhe, nga ana tjetër, trajtimin e hershëm të rreziqeve ndaj stabilitetit financiar, nëpërmjet një rregullimi e mbikëqyrjeje të kujdesshme.

Së fundi, politikat strukturore duhet të orientohen gjithnjë e më shumë drejt nxitjes së rritjes të qëndrueshme. Në kontekstin botëror dhe evropian, përballë një realiteti kompleks gjeopolitik, ne duhet të punojmë për të ruajtur – për aq sa është e mundur – integrimin ekonomik dhe tregjet e lira të produkteve, të punës e të kapitalit, si një proces i cili ka sjellë progres të dukshëm për të gjithë aktorët e përfshirë. Paralelisht me to, reformat e brendshme strukturore duhet të fokusohen në përkrahjen ndaj inovacionit, në trajnimin dhe rikualifikimin e vazhdueshëm të fuqisë punëtore, si dhe në stimulimin e tranzicionit të gjelbër dhe të revolucionit teknologjik. Ndërkohë, vendet në zhvillim si Shqipëria, duhet të fokusohen në mbylljen e boshllëqeve të investimeve në infrastrukturë dhe në krijimin e një ambienti sa më stimulues për nxitjen e investimeve të brendshme dhe atyre të huaja.’- tha Sejko.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT