Eksperti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Selam Harrizi, ka komentuar këtë të shtunë në një emision televiziv me Franko Egro mbi qasjen e Francës lidhur me anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Sipas Harrizit, aktualisht janë katër shtete brenda aleancës që nuk e njohin pavarësinë e Kosovë. Ai theksoi se nga Franca nuk ka ende një përgjigje konkrete për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në NATO.
“Franca dhe BE-ja janë të fokusuara më shumë në luftën Ukrainë–Rusi”, u shpreh ai, duke shtuar se prioritetet gjeopolitike aktuale kanë zhvendosur vëmendjen nga zgjerimi i aleancës në Ballkan.
Harrizi iu referua edhe deklaratave të fundit të presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili – sipas tij – ka theksuar nevojën që dialogu Kosovë–Serbi të ecë përpara drejt një perspektive europiane dhe një rezultati pozitiv, duke përmendur rëndësinë e njohjes reciproke.
Në të njëjtën linjë, ai nënvizoi se edhe në Bashkimi Evropian ka paqartësi lidhur me anëtarësimin e Kosovës në NATO. Sipas ekspertit, Kosova i ka përmbushur standardet ushtarake, demokratike dhe funksionale për t’u bërë pjesë e aleancës, por konteksti aktual politik mbetet i ndërlikuar.
Ai përmendi gjithashtu deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ka folur për rreziqe hibride dhe ndikime serbe e ruse në Prishtinë. Megjithatë, Harrizi theksoi se deri më tani mungon një deklaratë zyrtare nga Parisi për mbështetjen e drejtpërdrejtë të anëtarësimit të Kosovës në NATO.






