3.5 C
Tiranë
Tuesday, November 26, 2024
spot_img

“Serbia e njeh Kosoven?”/Aleksandër Vuçiç në intervistë:”Kjo nuk është e vërtetë”

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, përjetoi një nga intervistat më sfiduese gjatë pjesëmarrjes në programin “Hard Talk” të BBC-së, ku gazetari Stephen Sackur nuk nguroi të trajtonte disa nga çështjet më të ndjeshme dhe të debatueshme për Serbinë dhe udhëheqësin e saj.

Intervista u tensionua veçanërisht kur Sackur përmendi se Serbia “de facto” e njeh Kosovën, pasi ka vite që dialogon me këtë vend për normalizimin e marrëdhënieve. Vuçiç reagoi menjëherë, duke mohuar këtë pretendim dhe duke theksuar se dialogu nuk nënkupton njohje zyrtare.

Kjo nuk është e vërtetë. Nuk është thënë apo shkruar askund. Normalizimi do të thotë që ne të jetojmë në paqe, stabilitet, qetësi, të kemi qarkullim të lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve, shërbimeve, të zhvillojmë ekonomitë tona, të fillojmë të diskutojmë çështje të ndryshme dhe të përpiqemi t’i zgjidhim ato”, u shpreh Vuçiç.

Në përpjekje për të shpjeguar qëndrimin e tij, presidenti serb tha se paqja dhe stabiliteti në Kosovë janë çështje për ata që, sipas tij, “hapën kutinë e Pandorës”. Por Sackur nuk e la vetëm me kaq dhe e sfidoi Vuçiçin për të shkuarën e tij si anëtar i Partisë Radikale Serbe, duke e lidhur atë me ideologjinë e “Serbisë së Madhe” gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

Vuçiç u përpoq të përgjigjej me qetësi, duke pranuar se ka ndryshuar ndër vite. “Nuk kam turp të them se kam ndryshuar,” deklaroi ai. Megjithatë, presidenti nuk u pajtua me pohimet që e cilësojnë atë përgjegjës për konfliktet dhe gjakderdhjet në Ballkan. Ai i quajti të pavërteta pretendimet për përpjekjet e tij për rikthimin e Serbisë së Madhe pas kuvendit gjithëserb të mbajtur këtë verë.

Kjo është një histori e fabrikuar e njerëzve që donin të dëmtonin Serbinë dhe interesat kombëtare serbe. Sepse po citoni diçka që e keni nxjerrë jashtë kontekstit. Deklarata thotë se ne mbështesim plotësisht marrëveshjen e paqes që u nënshkrua në vitin 1995. Unë gjithashtu kam thënë një mijë herë, dhe e përsëris tani, se ne mbështesim integritetin territorial të Bosnje dhe Hercegovinës”, u shpreh ai.

Një tjetër çështje e ndjeshme e ngritur nga gazetari ishte lidhja e fortë e Serbisë me Rusinë dhe refuzimi i vendit për t’u bashkuar me sanksionet e BE-së kundër Moskës, ndërkohë që synon të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Vuçiç u përpoq të justifikonte këtë qëndrim duke theksuar pavarësinë e Serbisë në vendimmarrje.

Serbia vendos vetë,” tha Vuçiç, duke shtuar se nuk është e ulur në dy karrige, por vetëm në një. Ai insistoi se vendimet e Serbisë bazohen në interesat kombëtare dhe se nuk do të ndjekë asnjë linjë që cenon këtë parim, pavarësisht presionit të jashtëm.

Intervista, e cila ngjalli debate të forta, vuri në dukje pozicionin e ndërlikuar të Serbisë në politikën rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe sfidat e vazhdueshme të Vuçiçit për të balancuar mes presioneve të BE-së dhe marrëdhënieve tradicionale me Rusinë.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT