14.5 C
Tiranë
Wednesday, March 18, 2026
spot_img

SHBA heziton të lirojë fondet për Afganistanin për shkak të shqetësimeve lidhur me terrorizmin

Që nga evakuimi i dhjetëra mijëra aleatëve afganë pas tërheqjes së forcave amerikane nga ky vend një vit më parë, Departamentit i Shtetit është ngarkuar me detyrën e ofrimit të ndihmave humanitare për afganët që jetojnë nën regjimin taleban, të cilët tani po përballen me mungesa serioze ushqimore.

Pavarësisht garancive të dhëna nga talebanët, Shtetet e Bashkuara ende nuk janë të gatshme, që në një të ardhme të afërt t’i lirojnë fondet e ngrira të bankës qendrore të Afganistanit.

Grupet e të drejtave të njeriut dhe organizatat e ndihmave humanitare thonë se situata për afganët është shumë e rëndë dhe disa prej tyre janë detyruar të shesin organet e tyre, ose fëmijët e tyre për të mbijetuar. Një vit pas tërheqjes së trupave dhe diplomatëve amerikanë, Shtetet e Bashkuara janë ende donatori më i madh i ndihmave humanitare për Afganistanin. Fereshta Abbasi është eksperte për Afganistanin në organizatën Human Rights Watch.

“Sipas statistikave të fundit që ka publikuar Programi Botëror i Ushqimit, 90 për qind e afganëve po përballen me pasiguri ushqimore një vit pas marrjes së pushtetit nga talebanët. Njerëzit po vdesin nga uria. Pra, ata nuk kanë asgjë për të ngrënë”, thotë ajo.

Talebanët festuan të hënën një vjetorin e marrjes së pushtetit nga qeveria e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara në Kabul, duke thënë se ata dëshirojnë të kenë marrëdhënie të forta politike dhe ekonomike me të gjitha vendet e rajonit dhe botës.

Por administrata e Presidentit Biden ka ngritur dyshime rreth garancive të ofruara nga talebanët, duke përmendur vrasjen muajin e kaluar të udhëheqësit të Al-Kaidës, Ayman al-Zawahiri, në një sulm amerikan me dron në një shtëpi ku ai strehohej në zemër të Kabulit.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha se administrata e Presidentit Biden nuk është e gatshme që në një të ardhme të afërt t’i lirojë fondet e ngrira në Shtetet e Bashkuara të bankës qendrore të Afganistanit, por ajo ka negociuar me bankën për muaj të tërë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.

“Tani ne po analizojmë mekanizmat që mund të vendosen për t’u siguruar që këto 3.5 miliardë dollarë të përdoren në mënyrë efektive për të ndihmuar popullin e Afganistanit dhe që ato të mos devijohen për përdorim nga grupet terroriste ose për arsye të tjera”, thotë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.

Ekspertët i thanë Zërit të Amerikës se fakti që udhëheqësi i Al-Kaidës po jetonte në mes të Kabulit me familjen e tij i ka dhënë një goditje përpjekjeve për lirimin e fondeve të bllokuara.

“Duke marrë parasysh atë që ndodhi me al-Zawahrin, tani Shtetet e Bashkuara do të marrin një qëndrim edhe më të ashpër dhe nuk do të bien dakord për asnjë lloj marrëveshjeje për t’i kaluar ato fonde përsëri në kontrollin afgan, nëse nuk ekziston një mekanizëm i qartë, që do t’ia kufizonte mundësinë talebanëve për të kontrolluar mënyrën e përdorimit të tyre. Talebanët do të mbajnë një qëndrim të ashpër. Talebanët, për arsye politike, duhet të sigurojnë legjitimitetin e udhëheqësve të tyre”, thotë Michael Kugelman nga Qendra Wilson.

Ekspertët thonë se komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara, duhet të rrisin ndihmën humanitare për civilët afganë. Por ata gjithashtu po u bëjnë thirrje talebanëve që të rishqyrtojnë përparësitë e tyre dhe të trajtojnë nevojat themelore të njerëzve në vend që të kufizojnë më tej të drejtat e grave në Afganistan. /VOA

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT

Horoskopi ditor, e Mërkurë, 18 Mars 2026

0
Dashi Dita mund të sjellë disa sfida të vogla, por energjia juaj do t’ju ndihmojë t’i kapërceni. Në punë kërkohet përqendrim. Në dashuri, shmangni reagimet...

Parashikimi I motit, e Mërkurë, 18 Mars 2026

0
Më 18 mars 2026, moti pritet të jetë i paqëndrueshëm, me vranësira të dendura dhe reshje të herëpashershme shiu në pjesën më të madhe...

Sylvinho rikthen Taulant Seferin në Kombëtare për fazën “play-off”

0
Në një lëvizje strategjike për fazën vendimtare të kualifikimeve, trajneri i Kombëtares Shqiptare, Sylvinho, pritet të rikthejë sulmuesin Taulant Seferi në ekip. Ish-lojtari i...

Samsung ndalon Galaxy Z TriFold pas vetëm tre muajsh, shitjet vazhdojnë deri në stok

0
Telefoni i parë i Samsung me palosje të dyfishtë, Galaxy Z TriFold, pritet të ndërpritet rreth tre muaj pas lansimit të tij, sipas një...

Aksidenti tragjik në Tiranë: Autoboti i UKT u përplas me 72-vjeçaren, ja çfarë u...

0
Një aksident me pasoja fatale ka ndodhur mesditën e së martës në Tiranë, duke tronditur zonën e ish-ekspozitës në bulevardin Gjergj Fishta. Një grua...