Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, në fjalën e tij në Kuvend, kritikoi ashpër qeverinë dhe parlamentin për mungesën e veprimit ndaj qytetarëve shqiptarë të prekur nga kriza në Lindjen e Mesme.
Shehu theksoi se “Shqipëria ka heshtje të plotë. Ka realisht një situatë diskriminuese ndaj shqiptarëve, një braktisje të shqiptarëve në ato vende të vështira… Ky parlament nuk ka dalë me një deklaratë të qartë, zyrtare, që është në krah të SHBA-së në këto përpjekje për të prevenuar terrorizmin iranian, armatosjen me armë bërthamore dhe sulmet ndaj vendeve të rajonit.”
Ai theksoi se Parlamenti nuk ka dhënë informacion të qartë për masat ndaj 3,000 qytetarëve shqiptarë të rrezikuar, duke pyetur: “Pra, në këto dy elementë duhet të dalim. E para, duhet raportuar këtu qartësisht ç’po bëhet me 3000 shqiptarët? Çfarë masa janë marrë? Çfarë problemi i evakuimit? Çfarë po merret për evakuimin e tyre? Pse s’është krijuar uniteti i krizës si një organizëm ndërinstitucional në Shqipëri? Pse nuk raportohet përditë për këtë gjë?”
Shehu akuzoi qeverinë për pasivitet dhe për braktisje të qytetarëve: “Në mënyrë absolute i ka braktisur shqiptarët, ka braktisur qytetarët shqiptarë në vështirësitë e mëdha që ata janë. Prandaj urgjentisht kërkoj këtu të ndalojë parlamenti, të raportohet për këtë element, të diskutohet.”
Deputeti demokrat bëri thirrje për një reagim të menjëhershëm të institucioneve shqiptare dhe për krijimin e një mekanizmi të qartë evakuimi dhe mbrojtjeje për shqiptarët që jetojnë në zonat e rrezikuara.






