Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se Izraeli është “në luftë”, pas sulmit masiv që militantët e Hamasit nisën më 7 tetor.
“Ne jemi në luftë”, tha Netanyahu. “Nuk është ‘operacion’, por luftë”, theksoi lideri izraelit gjatë një adresimi televiziv.
Shërbimi kombëtar i shpëtimit në Izrael tha se të paktën 200 izraelitë janë vrarë dhe mbi 1.000 të tjerë janë plagosur si pasojë e dhunës.
Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se të paktën 198 persona janë vrarë në Gaza dhe mbi 1.600 të tjerë janë plagosur gjatë dhunës.
Grupi militant Hamas tha se ka lëshuar mijëra raketa në Izrael mëngjesin e 7 tetorit, duke nxitur autoritetet që të lëshojnë alarme për sulme ajrore në mbarë vendin, përfshirë në Jerusalem dhe Tel Aviv. Izraeli u kundërpërgjigj duke kryer sulme ajrore ndaj caqeve në Rripin e Gazës.
Luftëtarët e Hamasit po ashtu kanë kaluar kufirin e fortifikuar dhe kanë hyrë në Izrael, duke u përleshur me forcat e mbrojtjes së Izraelit në jug të shtetit.
Hamasi lëshoi një deklaratë, duke thënë se mbi 5.000 raketa janë lëshuar në atë që e ka quajtur “Operacioni Përmbytja Al-Aksa”.
“Ne kemi vendosur t’i japim fund të gjitha krimeve të pushtimit”, u tha në deklaratë. “Koha e tyre për të kryer krime pa u mbajtur përgjegjës ka mbaruar”.
Lideri i Hamasit, Ismail Haniyeh, tha se sulmi që ka nisur në Gaza do të përhapet në Bregun Perëndimor dhe në Jerusalem.
“Ky ishte mëngjesi i mposhtjes dhe poshtërimit të armikut tonë, ushtarëve dhe kolonëve të tij”, tha ai. “Ajo çfarë ndodhi sot shfaq dobësinë e armikut”.
Dhjetëra avionë luftarakë izraelitë kanë kryer operacione mbi Gaza, përderisa zyrtarët izraelitë deklaruan se kanë shënjestruar caqe ushtarake dhe qendrat e komandës së Hamasit.
Sulmi vjen në kohën kur në Izrael po shënohet një festivali fetar bebrej.
Gjatë një adresimi televiziv, ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Yoav Gallant, tha se Hamasi ka bërë “një gabim të madh” dhe u zotua se “shteti i Izraelit do ta fitojë këtë luftë”.
Netanyahu ka urdhëruar “mobilizimin e gjerë të rezervistëve”.
“Armiku do të paguajë me një çmim të paprecedent”, tha ai.
Dhuna mes Izraelit dhe Gazës nëpërmjet fotografive
Fotogaleri
Dhuna mes Izraelit dhe Gazës nëpërmjet fotografive
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, admirali Daniel Hagari, tha se luftime po zhvillohen në 22 lokacione në jug të Izraelit.
Më herët, ushtria izraelite dhe Hamasi konfirmuan se disa izraelitë janë kapur dhe janë marrë pengje. Në mesin e pengjeve, sipas autoriteteve izraelite, ka ushtarë dhe civilë izraelitë.
Ndërkaq, për shkak të shpërthimit të dhunës miliona izraelitë janë detyrohen të strehohen pas lëshimit të alarmeve në qytetet në mbarë shtetin.
Bota dënon sulmin e Hamasit ndaj Izraelit
Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Spanja, Gjermania dhe shtetet e tjera kanë lëshuar deklarata duke afirmuar të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten dhe kanë bërë thirrje për armëpushim.
SHBA-ja tha se e dënon sulmin nga “terroristët e Hamasit”, duke shtuar: “Ne qëndrojmë me Qeverinë dhe popullin e Izraelit”.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se Pentagoni do të punojë për t’u siguruar që Izraeli “ka atë që i duhet për të mbrojtur veten”.
Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se SHBA-ja është e gatshme “të ofrojë të gjitha mjetet e nevojshme për të mbështetur” Izraelin pas sulmit të Hamasit dhe paralajmërojë “që asnjë palë tjetër armiqësore ndaj Izraelit” të mos tentojë të shfrytëzojë situatën.
Biden bisedoi në telefon me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, të shtunën pas shpërthimit të dhunës dhe lideri amerikan tha se “Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten dhe popullin e tij”.
Ndërkaq, në një adresim nga Shtëpia e Bardhë, Biden përsëriti mbështetjen “e palëkundur” të shtetit të tij për Izrelin dhe paraljmëroi palët armiqësore ndaj Izraelit që të mos e shfrytëzojnë situatën.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se ka biseduar me presidentin dhe kryeministrin Izraelit.
“Franca qëndron në solidaritet me Izraelin dhe izraelitët, e përkushtuar për sigurinë dhe të drejtën e tyre për të mbrojtur veten”, tha Macron.
Edhe Kosova ka shprehur solidaritetin me Izraelin. Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, tha se është e “tmerruar nga sulmet e terroriste dhe vrasjen e civilëve të pafajshëm në Izrael”.