Ministria e Jashtme e Rusisë ka reaguar për herë të parë në lidhjen me shpalljen “non grata” të dy zyrtarëve rusë në Kosovë.
Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Marija Zakharova, në një deklaratë të publikuar në faqen e ministrisë, thekson se ky vendim nuk do të ketë pasoja mbi statusin juridik të diplomatëve të shpallur “non grata”.
“Ne supozojmë ky hap i administratës së Prishtinës nuk do të ketë asnjë pasojë për statusin juridik të diplomatëve të përmendur rusë”, tha ajo.
Teksa e konsideron vendimin e Prishtinës si “provokim të qëllimshëm”, Zakharova i bën thirrje UMNIK, misionit të OKB-së dhe forcave ndërkombëtare në Kosovë që të garantojnë sigurinë e kushteve të punës për zyrtarët rusë. Sipas Zakharovës, zyrtarët e shpallur non grata janë të akredituar nga UNMIK-u.
“I bëjmë thirrje UNMIK-ut dhe forcave ndërkombëtare në Kosovë, në kuadër të kompetencave të tyre në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të garantojnë sigurinë dhe kushtet e nevojshme për punën normale të personelit të zyrës ruse në Prishtinë. Ne presim garanci të duhura me shkrim nga administrata e OKB-së”, deklaroi Zakharova.
Kujtojmë se Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi këtë të premte se kërkoi nga Ministria e Jashtme që të shpallte “non grata” dy zyrtarë të Rusisë që kanë punuar në Zyrën Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë, duke theksuar se aktiviteti i tyre “ka cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues.
“Këtë javë kam kërkuar nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla-Schëarz, t‘i shpallë persona non grata dy zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë, për shkak të aktivitetit të tyre të dëmshëm, i cili ka cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Sot, MPJD-ja ka nxjerrë vendimin për shpalljen e këtyre dy zyrtarëve rus persona të padëshirueshëm dhe në të njëjtën kohën i ka njoftuar institucionet ligjzbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e tij”, thuhej në deklaratën e Osmanit.
Menjëherë pas këtij vendimi, reagoi ambasada e ruse në Beograd, duke thënë se vendimet e Prishtinës nuk kanë fuqi ligjore, pasi Rusia nuk e njeh Kosovën si shtet.
“Ne nuk e njohim pavarësinë e Kosovës, prandaj nuk e njohim qeverinë e tyre apo strukturat e tjera. Asnjë vendim i Prishtinës nuk ka fuqi ligjore për ne. Ne po bashkëpunojmë me misionin e UNMIK-ut, duke përfshirë këto çështje, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, thuhet në deklaratën e ambasadës ruse në Beograd.