Deputeti socialist Erion Braçe ngriti sot në Kuvend shqetësime për modelin e tregut të hidrokarbureve, duke e lidhur atë me rritjen e çmimit të naftës dhe praktikat e furnizuesve në sektor.
Sipas Braçes, modeli aktual po lejon që elementë të caktuar të tregut të fshihen dhe të ndikojnë në mënyrë jo të drejtë çmimet: “Është shumë e rëndësishme që narrativa që synon të fshehë elementë të posaçëm dhe modeli që kemi në tregun e hidrokarbureve të mos gjejë hapësirë të mjaftueshme për të zhurmuar ose fshehur e tërhequr vëmendjen në drejtime të tjera.”
Deputeti u ndal veçanërisht te çmimi neto i hidrokarbureve, i cili sipas tij është më i larti në rajon: “Me tregun dhe çmimet e sotme në bursë, ne kemi çmimin neto të hidrokarbureve më të lartë në të gjithë rajonin. Pa taksa fare, është më i larti se në Greqi, Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi e Serbi.”
Braçe kritikoi gjithashtu reagimin e furnizuesve, të cilët sipas tij veprojnë si një kartel dhe kanë përdorur tonë kërcënuese ndaj ndërprerjes së furnizimit: “Tone kërcënuese për të ndërprerë furnizimin janë tone kriminale që kërcënojnë sigurinë kombëtare dhe duhet të marrin përgjigje duke shembur modelin e tregut që garanton fitime, arrogancë dhe kërcënime nga operatorët.”






