Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me Departamentin e Çështjeve Sociale në selinë blu, ku një nga temat kryesore ishte përcaktimi i minimumit jetik dhe gjendja e pensionistëve në vend.
Berisha theksoi se më shumë se 40% e shqiptarëve përballen me vështirësi ekonomike që prekin kafshatën dhe shëndetin e tyre:
“Së bashku debatojmë për një problem i cili intereson jetën e më shumë se 40 për qind të shqiptarëve, prek kafshatën dhe shëndetin e gjysmës së popullatës në vend. Shqipëria është në një situatë dramatike në raport me shpërndarjen e të ardhurave, në raportin e rrogave me çmimet dhe është vendi i vetëm që nuk ka të përcaktuar një minimum jetik”, tha ai.
Ai kritikoi përdorimin e pensionistëve në kohë elektorale, duke denoncuar shpërblime të lidhura me votën:
“Për pensionistët është gjetur një formulë mashtrimi elektoral, 50 euro vota e tyre në zgjedhjet lokale, 100 euro në zgjedhjet e përgjithshme, ndërkohë kontot bankare të qeveritarëve shkojnë në qindra milionë e miliardë. Më të keqtrajtuar se pensionistët shqiptar nuk ka dhe ata nuk e meritojnë”, shtoi ai.
Berisha nënvizoi gjithashtu ndikimin e zhvlerësimit të euros dhe rolit të drogës në reministancat e emigrantëve, duke e cilësuar këtë si një situatë dramatike për ekonominë familjare.






