0.5 C
Tiranë
Monday, November 25, 2024
spot_img

Shqipëria përmirësohet në luftën kundër korrupsionit, por ka nevojë për hapa më të mëdhenj

Shqipëria ka përmirësuar pozicionin e saj në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2023, duke shënuar një pikë më shumë krahasuar me vitin e mëparshëm, me një shifër totale prej 37 pikësh. Në renditjen ndërkombëtare, vendi renditet në pozitën e 98-të ndër 180 vende.

Kjo përmirësim vjen si rezultat i hetimit dhe ndjekjes penale të korrupsionit në nivel të lartë, veprimtarisë së SPAK-ut (Specialja Anti-Korrupsion).

“Korrupsioni do të vazhdojë të lulëzojë derisa sistemet e drejtësisë të mund të ndëshkojnë shkeljet dhe të mbajnë nën mbikqyrje qeveritë. Kur drejtësia blihet ose ndaj saj ndërhyhet politikisht, janë njerëzit që vuajnë pasojat. Udhëheqësit duhet të investojnë plotësisht tek insitutcionet që respektojnë ligjin dhe luftojnë korrupsionin dhe të garantojnë pavarësinë e tyre. Është koha për t’i dhënë fund mosndëshkimit për korrupsionin”, shprehet në publikimin e raportit kreu i Transparency International, François Valérian.

Megjithatë, raporti nga organizata Transparency International thekson se përparimi i mëtejshëm kërkon zbatimin efektiv të legjislacionit të drejtësisë penale dhe sigurimin e mbikëqyrjes efektive ndaj sektorit ekzekutiv.

Organizata Transparency International vlerëson se vendimi për krijimin e një ministrie të re për luftën kundër korrupsionit duhet shoqëruar me implementimin e mekanizmave efektivë të integritetit.

“Hapat mbrapa në demokraci dhe dobësimi i sistemeve të drejtësisë, që janë mjaft të përhapura, po minojnë kontrollin ndaj korrupsionit, ndërsa institucionet si policia, prokuroria dhe gjykatat shpesh nuk janë në gjendje të hetojnë dhe ndëshkojë ata që abuzojnë me pushtetin”, thuhet në raport.

Megjithatë, theksohet se autonomia e fortë e parlamentit, roli i organizatave të shoqërisë civile dhe i mediave pa ndërhyrje nga autoritetet janë faktorë të rëndësishëm për arritjen e një progresi të qëndrueshëm në këtë fushë. Në përgjithësi, raporti i Transparency International shpreh shqetësim për rënien e funksionimit të sistemeve të drejtësisë në botë dhe thekson se vendet me sisteme të dobëta drejtësie kanë nivele të larta të korrupsionit.

“E megjithatë ka shembuj të panumërt të zyrtarëve publikë që ndikojnë sistematikisht mbi politikat dhe institucionet për të rritur fuqinë e tyre dhe vjedhin fondet publike. Udhëheqësit duhet urgjentisht të forcojnë sundimin e ligjit, të drejtat dhe demokracinë, por në fakt shumë prej tyre po i sulmojnë sistematikisht”, thotë raporti.

“Në të gjithë rajonin, shumë qeveri kontrollojnë gjyqësorin dhe institucionet e zbatimit të ligjit ruajnë pandëshkueshmërinë për korrupsionin për ata në qarqet e tyre të privilegjuara”, thotë Transparency International, duke theksuar se për Gjeorgjinë dhe vendet në në Ballkanin Perëndimor, “këto praktika të vazhdueshme janë pengesa për anëtarësimin në Bashkimin Evropian”.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT