Vilhem Teli, një instruktor kanotazhi shqiptar, foli në një lidhje live në një studio televizive për ngjarjen e rëndë që ndodhi në qytetin italian të Torinos, ku një autobus përfundoi në lumë. Ai tregoi detaje nga momentet e shpëtimit, duke shpjeguar se si u angazhua për të shpëtuar pasagjerët dhe shoferin e autobusit.
Teli tha se, kur mori lajmin për incidentin, ishte në zyrë me kolegët e tij dhe menjëherë dolën jashtë për të ndihmuar. Me një motoskaf, ata arritën në vendin e ngjarjes pas vetëm një minute e gjysmë. Pas goditjes të autobusi nga një pjesë e rrugës dhe përplasjes me disa gra kalimtare, shoferi filloi të ecë mbrapsht deri sa autobusi u përmbys dhe ra në lumë.
“Një nga kolegët e mi më tha se po binte një autobus në lumë dhe dolëm menjëherë jashtë. Ishte ora 17:30 dhe për një minutë e gjysmë arritëm me motoskaf,” u shpreh ai.
Teli kujtoi momentet kur ai hyri brenda autobusit të mbushur me ujë të ftohtë dhe erë të bojës, duke kërkuar shoferin. Fatmirësisht, ai tha se nuk kishte pasagjerë të tjerë në autobus, pasi fëmijët që ishin në udhëtim kishin zbritur në muze pak para incidentit. Pasi e gjeti shoferin të pavetëdijshëm, Teli e nxori atë nga autobusi dhe nisi t’i jepte ndihmën e parë. Për fat të keq, ndonëse përpjekjet për ta shpëtuar ishin të forta, pas 40 minutash, ambulanca i njoftoi se shoferi kishte ndërruar jetë.
“I thashë shokut tjetër që të mos humbim kohë dhe hyra përmes pjesës së xhamit të thyer,” tha ai, duke përshkruar ndihmën që dha dhe momentet e vështira të shpëtimit.