Gjatë muajve të fundit, Ekuadori duket se është kthyer në një destinacion për trafikantët e drogës nga Shqipëria, ku janë regjistruar dhe një sërë ngjarjesh ku janë përfshirë shqiptarë.
Më e fundit ishte ekzekutimi i Ergys Dashit, një 34-vjeçar i cili ishte i përfshirë në trafikun e kokainës.
Një shtetas shqiptar i cili pretendon se njeh nga afër tregtinë e drogës në Ekuador, ka rrëfyer gjatë një interviste se si zhvillohet gjithë ky aktivitet.
Shqiptari, i cili ka preferuar të mbetet anonim, tregon se pse shumë shqiptarë kanë zgjedhur të shkojnë në Ekuador, dhe se si bëhet trafiku i drogës drejt vendeve të Europës.
Intervista e plotë:
Gazetari:Sa kohë keni qëndruar në Ekuador dhe ku jeni vendosur?
Shqiptari:Rreth tre vjet, kam qëndruar në qendrën e Ekuadorit
Gazetari:Pse vendoset të iknit në Ekuador, çfarë i ofron ky vend shqiptarëve?
Shqiptari:Ekuadori të jep mundësinë më të thjeshtë për t’u ngritur ekonomikisht.
Gazetari:Sa para mund të bësh në një kohë të shkurtër në Ekuador?
Shqiptari:Për një kohë të shkurtër mund të bësh 1 milionë, 2 milionë euro për gjashtë muaj.
Gazetari:Sa shqiptarë njihni të cilët jetojnë në Ekuador dhe si janë të organizuar ata?
Shqiptari:Mbi 50 shqiptarë nga Durrësi, Tirana, rrethinat. Punojnë me grupet e veta, me vendasit. Janë gjithmonë të varur nga vendasit, kolumbianë.
Gazetari:Ata janë krerët e grupeve, apo punojnë për llogari të grupeve të tjera, vendase?
Shqiptari:Ata janë bashkëdrejtues. Varet nga personat që shkojnë, që kanë burimet financiare, që investojnë lekët atje.
Gazetari:Si shkojnë këta shqiptarë në Ekuador? Si keni shkuar ju? A është e thjeshtë të shkohet, të gjenden lidhjet dhe rrjetet? A shkohet me rekomandime?
Shqiptari:Deri në 2020 në shtator shkoje direkt. Tani bëhet një aplikim online vize. Është bërë pak më vështirë por mundësitë për të shkuar janë shumë të thjeshta. Me një aplikim shkon direkt dhe nuk të thotë njeri gjë. Grupet gjenden me sugjerime, ose njohje. Personat afrohen vetë, vendasit. 90% e personave që shkojnë nga Europa dhe kryesisht Ballkani shkojnë për arsye biznesi.
Gazetari:Ata që vijnë nga Evropa, përfshi shqiptarët, çfarë roli luajnë në qarkullimin e drogës? Marrin drogë vendase për ta sjellë në Evropë, apo çojnë drogë?
Shqiptari:Ekuadori nuk prodhon. Është vendi kryesor që importon. Merren nga Kolumbia, Peruja, dhe importohet për vendet e Evropës, ose Ballkanit.
Gazetari:Vendasit janë tregtarët e parë të drogës dhe më pas ua kalojnë në dorë evropianëve?
Shqiptari:Personat që investojnë lekët, në këtë rast, evropianët, bien në ortakëri me vendasit dhe janë 50 me 50. Janë dy drejtues, një vendas dhe një evropian.
Gazetari:Çfarë bëjnë shqiptarët në këtë rrugë nga Ekuadori drejt Evropës?
Shqiptari:Shqiptarët përveç anës financiare, pjesëtarët që nxjerrin mallin investojnë lekë, pjesëtarët që fusin vendasit të investojnë dhe personat që janë ndërmjetës. Nga një anë ke shqiptarë që janë më të fortë se evropianët apo vendasit. Shqiptarët nuk janë fundi i zinxhirit, janë fillimi. Pa ata nuk bëhet asgjë.
Gazetari:Cilat janë portet evropiane më të shpeshta ku droga vjen nga Ekuadori?
Shqiptari:Itali, Holandë, Belgjikë, Gjermani.
Gazetari:A janë grupet shqiptare aktive në Ekuador në raport me grupet e tjera? A ka rivalitet mes grupeve vendase dhe shqiptarëve?
Shqiptari:Moskryerja e pagesave janë shkaqet kryesore që çojnë në rivalitet.
Gazetari:Ka pasur ngjarje ditët e fundit që tregojnë se shqiptarët po vriten në Ekuador. Pse po i vrasin shqiptarët?
Shqiptari:Moskryerje pagesash dhe intriga mes shqiptarëve.
Gazetari:Vrasjet e fundit kanë pasur autorë shqiptarë apo ekuadorianë?
Shqiptari:Ekuadorianë. Lufta po vazhdon. Janë vrarë deri në 5 veta, në 48 orë.
Gazetari:Sa nga këta njerëz që janë vrarë i ke njohur apo ke punuar?
Shqiptari:Njohur po.
Gazetari:Kanë qenë me peshë?
Shqiptari:Shqiptarët këtu janë me peshë. Përderisa kanë pasur lidhje të forta do të thotë se janë dikushi.
Gazetari:Kanë pasur lidhje me shtetin?
Shqiptari:Vendasit punojnë me shtetin dhe shqiptarët me vendasit.
Gazetari:Keni probleme me policinë vendase?
Shqiptari:Nuk na kanë bezdisur deri tani. S’besoj se do të ndodhë. Nëse nuk i bie njeriu në qafë, marrje hua. Mall pa lekë, pa e paguar.
Gazetari:Kur merr mall pa e paguar, çfarë rreziku ke marrë përsipër?
Shqiptari:Ke marrë rrezikun që luan me jetë.
Gazetari:Ata fillojnë me eliminimet?
Shqiptari:Vrasjet kushtojnë shumë pak në Ekuador.
Gazetari:Për sa para vritet një njeri?
Shqiptari:Nga 10 mijë deri në 30 mijë maksimumi.
Gazetari:Ata që kryejnë ekzekutimet janë vendas?
Shqiptari:Vendas dhe të gjithë minorenë.
Gazetari:Si është realiteti ekonomik në Ekuador?
Shqiptari:Dy shtresa shumë kontraverse me njëra tjetrën. Njëra shtresë shumë e pasur dhe tjetra shumë e varfër.
Gazetari:Të pasurit me çfarë merren zakonisht?
Shqiptari:Biznese, avokatë, prokurorë, fabrika, import frutash, peshk.
Gazetari:A ka siguri në Ekuador? Trafiku i drogës a e bën jetën të pasigurt për shkak të eliminimeve që ndodhin në mes të ditës?
Shqiptari:Ekuadori nuk ka siguri. Kudo që të jetosh, edhe në zonat më të sigurta. Pavarësisht se të huajt mundohen të jetojnë në zona të sigurta. Këtu ku jetojmë ne është një zonë shumë e keqe.
Gazetari:Sa kushton 1 kg kokainë dhe sa mund të sigurohet me një rrugë të vetme?
Shqiptari:2000 dollarë.
Gazetari:Jeni në dijeni të ndonjë ngarkese që ka mbërritur në portet shqiptare kohët e fundit? Kemi parë se disa ngarkesa janë bllokuar në portin e Durrësit.
Shqiptari:Janë gjëra që dihen.
Gazetari:A keni ju telashe kur droga bllokohet nëpër porte?
Shqiptari:Nëse del në televizor me letra, nuk ka asnjë lloj problemi. Nëse faktohet se sasia është kapur nga policia, nuk ka problem mes nesh.
Gazetari:Si zëvendësohet kjo sasi droge?
Shqiptari:Quhet e humbur, investohet nga të dy palët.
Gazetari:Zakonisht me çfarë transportohet? Ne kemi parë me kamionët e bananeve. A është kjo mënyra më e sigurt?
Shqiptari:Bëhet edhe me importe peshku, frutash por më shpesh me banane.
Gazetari:Në Shqipëri bëhet më shumë me banane?
Shqiptari:Nuk kam informacion të saktë.
Gazetari:A njeh njerëz që nuk janë shkëputur dot nga ky rrjet?
Shqiptari:Nuk kam njohur. Problemi atje është se të pëlqen të punosh. Nuk të detyron njeri.
Gazetari:Sa vite ka më jetëgjati i shqiptarëve në tregun ekuadorian?
Shqiptari:15 vjet.
Gazetari:Kush largohet e ndërpret, apo rikthehen prapë?
Shqiptari:Shumica rikthehen.
E sheh këtë si një mënyrë për të jetuar për një kohë të gjatë, apo për të bërë disa para me të cilat më pas mund të jetosh jetën.
Është mënyrë që mund të bësh para, por shpenzohen. Nuk mund të bësh para me ato. Fitim i lehtë, shpenzime të lehta.
Gazetari:Ke frikë për jetën kur sheh që njerëz që i njeh sot nuk jetojnë më për një gabim të vogël që mund të kenë bërë?
Shqiptari:Nuk kam pasur frikë sepse nuk kam bërë asnjë gabim.
Gazetari:Ke takuar ndonjë njeri të rëndësishëm që merret me trafikun e drogës përgjatë punës tënde në Ekuador?
Shqiptari:Të gjithë të rëndësishëm janë.
Gazetari:Kush është emri më i rëndësishëm i trafikut të drogës në Ekuador?
Shqiptari: Nuk përmend emra. Mos ma kërko këtë.