Ngjarja tragjike ka ndodhur në nëntor të vitit 2021 në Qafë Mollë, pas Malit të Dajtit në Tiranë, ku u gjet trupi i pajetë i Ruzhdi Hoxhës. Megjithatë, emisioni “Fiks Fare” ka denoncuar një sërë veprimesh të institucioneve të drejtësisë, ku një person akuzuar për vrasje dhe dëmtim të kufomës ka përfituar nga një trajtim favorizues.
Autori Ferdinand Rrushi fillimisht u akuzua për vrasje me paramendim, por në gjykatë, vepra penale u ndryshua në “vrasje me dashje”. Në fund, ai u dënua me vetëm 10 vite burg, të cilat do t’i kryejë në një burg të sigurisë së zakonshme. Ky dënim lejon mundësinë e uljes së dënimit dhe lirim me kusht.
Në intervistën me Xhelal Hoxhën, babain e viktimës, ai shprehet se familja kishte shpresuar për një dënim më të rëndë për autorin e krimit. Xhelal Hoxha kritikon prokurorinë dhe gjykatën për mungesën e hetimeve dhe trajtimit të favorshëm të autorit Ferdinand Rrushi. Ai thekson se veprimet e institucioneve të drejtësisë tregojnë për një favorizim të autorit dhe mungesë të drejtësisë për viktimën.
“Autori ka mbështetje të madhe se ka vrarë edhe 2 të tjerë. U lirua. Ka mbjellë hashashin dhe e ka sjellë në shtëpi. Ai ka marrë lekët nga të tjerë, por ne ia lamë në dorë drejtësisë. Trupi gjykues të shkojë para gjykatës. Ne kërkuam apelimin e çështjes. Prokurori nuk pranoi të apelonte çështjen. Nuk i takonte prokurorit të shkonte në dhomën e këshillimit. Atje vajtën për pazar. Unë dyshoj se janë paguar shumë lekë. Ia kemi lënë shtetit ta hetojë. Të mbledhë prova” thotë babai i viktimës. Ruzhdi Hoxha ishte 44 vjeç, i martuar dhe ka 2 djem. “Djali merrej me ndërtime. Ka pasur fabrikë betoni. S’ka pasur probleme me drejtësinë. S’është dënuar ndonjëherë penalisht” përfundon Xhelali.
Dosja e hetimeve të prokurorisë ka qenë e plotë me detaje mbi ngjarjen dhe lëvizjet e autorit pas vrasjes së Ruzhdi Hoxhës. Megjithatë, gjatë gjykimit, vepra penale është ndryshuar, duke i hapur rrugën autorit për një dënim më të lehtë.
Familjarët e viktimës janë të revoltuar dhe kërkojnë drejtësi të plotë për vrasjen e Ruzhdi Hoxhës. Ata akuzojnë prokurorinë dhe gjykatën për mosmarrëveshje dhe favorizim të autorit.