Skandali me të dhënat mbi pagat po nxjerr në pah çdo dite anomali të nepotizmit në administratë dhe abuzime me paratë publike.
Në databazën e pagave të prillit zbulohet se 5 shoferët e Fondit Shqiptar të Zhvillimit kanë paga bruto nga 1500 dollarë, ose 153,120 lekë në muaj, deri në 1900 dollarë, ose 196,636 lekë në muaj, afërsisht sa paga e një deputeti që paguhet 156,770 lekë dhe në disa raste më shumë se e një ministri, që përfiton 174,760 lekë pagë në muaj. “Vend pune pëllumbash” quhet në zhargonin popullor. Kështu, shoferi i FSHZH, me rreth 1900 dollarë në muaj, ose 196,636 lekë, konkurron me zëvendëskryeministrin për pagën.
Vetë drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, përfiton një pagë prej afro 7 mijë dollarësh, ose 701,100 lekë në muaj, gati 3 herë më shumë se shefi i tij i drejtpërdrejtë, Kryeministri Edi Rama, që paguhet rreth 2200 dollarë, ose 228,730 lekë dhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, që përfiton afro 2500 dollarë në muaj, ose 257,000 lekë.
Dritan Rreshka, një ish-prokuror i larguar nga vetingu, ka një pagë bruto prej rreth 5800 dollarësh, ose 580,800 lekë, si përgjegjës sektori në Fondin Shqiptar të Zhvillimit, po aq sa drejtuesi i SPAK, Arben Kraja, që përfiton 593,978 lekë në muaj. Ndërkohë, një punëtor pastrimi në Fondin Shqiptar të Zhvillimin përfiton bruto 1200 dollarë në muaj. Krahasimi me pagat e larta të administratës shtetërore është njëra anë e medaljes, pasi po t’i krahasosh me mësuesit, shoferët e Fondit Shqiptar të Zhvillimit paguhen sa dy të tillë, apo sa tre policë rendi që kanë një pagë prej 50,000 lekësh.
Kurse pjesa tjetër e administratës së FSHZH, juristë dhe specialistë të ndryshëm, futin nëpër xhepa me mijëra dollarë çdo muaj si pagë fikse (170,100 – 601,800 lekë). Fondi Shqiptar i Zhvillimit është një institucion buxhetor, me vende pune që sulmohen nga të afërm zyrtarësh, por kjo ka pak rendësi, pasi çdokush ka të drejtë të synojë një pagë dinjitoze. Ajo që e bën të padrejtë është krahasimi me ushtrinë prej dhjetëra mijëra nëpunësish të administratës shtetërore, mësuesish, policësh, mjekësh e kështu me radhë, që merr çdo muaj një pagese mbijetese.
PAGA PËR POSTE
Databaza që qarkullon prej ditësh në “WhatsApp”, tregon ndarjen e pagave sipas pozicioneve të punës, ashtu si në çdo institucion tjetër buxhetor. Gentian Këri, që mban postin e drejtorit në Drejtorinë e Administratës Shtetërore në Tiranë, ka një pagë prej 601,800.00 mijë lekësh në muaj. Arben Skënderi, që mban detyrën e drejtorit të departamentit në administratën e FSHZH, ka një pagë bruto prej 595,200.00 lekësh në muaj. Ilda Kuçova , që mban postin e drejtoreshës së burimeve njerëzore në këtë institucion, paguhet 590,400.00 lekë në muaj. Po ashtu, edhe posti i drejtorit të financave në FSHZH, që ushtrohet nga Enkelejd Myftari, ka një pagë prej 580,800.00 në muaj.
Ajo që bie në sy gjatë vëzhgimit të kësaj databaze është fakti që inxhinier/supervizor në ndërtim, ka një pagë relativisht të konsiderueshme për një institucion buxhetor. Paga për këtë pozicion pune varion nga 228,028.00 deri në 558,281.00 lekë në muaj. Po ashtu, databaza tregon për nivel pagash të larta edhe për të punësuarit si specialistë apo juristë. Punonjësi social i FSHZH ka një pagë bruto prej 496,843.00 lekësh në muaj, ndërsa pozicioni i administratorit të bazës së të dhënave në FSHZH ka një pagë prej 484,823.00 lekësh në muaj.