Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Qeveria po punon për një skemë të re pensioni, që nuk zëvendëson sistemin aktual, por e pasuron atë. Skema e re do të lejojë qytetarët të kursejnë një përqindje të pagës në një fond të veçantë, ku shteti do të shtojë të njëjtën shumë, duke dyfishuar kursimet personale.
“Nëse dikush vendos të kursejë 1 euro çdo muaj, shteti do të kontribuojë gjithashtu me 1 euro, duke e bërë shumën 2 euro. Ky mekanizëm do të aplikohet për punonjësit e sektorit publik dhe privat”, theksoi Rama gjatë vizitës në kompleksin industrial në Durrës.
Kryeministri nënvizoi rëndësinë e kapitalit njerëzor në një kohë kur teknologjia po zëvendëson disa nga punët e njerëzve. Ai vuri në dukje nevojën për specialistë të kualifikuar, duke marrë shembull një kompani ku aktualisht ka 15 specialistë, ndërsa nevoja e tyre reale është 40.
Rama gjithashtu theksoi rritjen e numrit të fabrikave dhe ndërmarrjeve shqiptare dhe promovimin e shembujve të suksesit industrial, duke përmendur transformimin e mbetjeve elektronike në produkte me vlerë, si unaza dhe varëse ari.
Në lidhje me pagat, kryeministri vuri në dukje se sot paga mesatare në këtë kompleks është mbi 1,000 euro, me disa të punësuar që marrin deri në 1,500 euro, duke ofruar kushte konkurruese në tregun e punës.
Rama përfundoi duke theksuar rëndësinë e vizibilitetit të këtyre sukseseve industriale, duke theksuar se Shqipëria po punon dhe prodhon, edhe pse këto zhvillime shpesh nuk pasqyrohen në mediat e përditshme.






