Besimtarët myslimanë festojnë sot Fitër Bajrami, një nga festat më të rëndësishme të besimit islam, e cila vjen pas 30 ditëve të agjërimit gjatë muajit të shenjtë të Ramazani.
Kjo ditë nis me faljen e mëngjesit dhe vijon me vizita familjare, urime dhe drekën tradicionale të Bajramit, ku tryeza mbushet me gatime të veçanta dhe simbolike.
Në qendër të menusë qëndron mishi i qengjit, i konsideruar si pjata kryesore e kësaj feste. Gjithashtu, një vend të rëndësishëm zë edhe supa e përgatitur me lëng mishi, vezë, limon dhe erëza, e cila është e pranishme pothuajse në çdo familje.
Në tryezë nuk mungojnë byrekët me barishte, vezë dhe djathë apo kombinime të tjera tradicionale, si edhe sallatat e freskëta apo të gatuara.
Ëmbëlsirat janë pjesë thelbësore e kësaj dite festive. Më tipiket mbeten bakllava, revani dhe kadaif, të cilat simbolizojnë ëmbëlsinë dhe gëzimin e festës.
Ndërkohë, një rregull i rëndësishëm për këtë festë është që në tryezë të mos ketë mish derri apo pije alkoolike, në përputhje me traditën dhe besimin islam.






