Gjithçka është gati gjatë ditës së sotme në stadiumin Air Albania, për Kuvendin e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha në datën e themelimit të PD-së (11 Dhjetor), sipas tij tashmë për ta rithimeluar atë nga e para dhe për ta bërë më të fortë.
Berisha ka me vete një pjesë të mirë të delegatëve të Kuvendit Kombëtar, mijëra mbështetës të zhgënjyer me Bashën, pas humbjes së disa zgjedhjeve radhazi, dhe e vetmja gjë që duket kundra tij në këto momente është situata meteorologjike.
Gjatë ditës së djeshme, Sali Berisha ftoi që të ishte në Kuvend dhe kreun aktual të PD-së Lulzim Basha, dhe të tjerë mbështetës së tij, ndërkohë që pritet të diskutohen në lidhje me ndryshime statutore të kësaj force politike.
Përpos delegatëve, që do të verifikohen që në hyrje të stadiumit, Berisha ka bërë thirrje që Kuvendit të sotëm ti bashkohen dhe anëtarë të tjerë të PD-së apo mbështetës, të cilët janë të interesuar për zhvillimet në forcën më të madhe të opozitës.
Në tribunën në krahun perëndimor të stadiumit janë vendosur banera të mëdhenj me sloganin “Më të bashkuar, më të fortë”, që ishin dhe motoja e takimeve të Foltores. Ndërkohë, në krahun lindor të stadiumit dhe në pjesët anësore do të vendosen pjesëmarrësit në mbledhje.
Në katin e parë të stadiumit “Air Albania”, në anën lindore me kapacitet 5-6 mijë veta, do të vendosen delegatët, ndërsa në katin e dytë të stadiumit dhe në pjesët anësore do të vendosen anëtarët e PD-së apo simpatizantët.
Në çdo portë hyrëse të stadiumit, delegatët do duhet të kenë me vete kartën e identitetit dhe kartën e demokratit. Personat përgjegjës do t’i pajisin delegatët me një draft me ndryshimet statutore.
Ndërkohë, përmes një pajisjeje elektronike dixhitale do të bëhet skanimi i barkodit të delegatit, ndërsa emri dhe funksioni i delegatit do të shfaqet në një ekran të madh, ku do të jetë i mundur identifikimi nga mediat.
Pasi të plotësohet numri mbi 1800 delegatë, mbledhja e Kuvendit do të konsiderohet e hapur dhe vetëm pasi të plotësohet numri mbi 4 mijë delegatë do të nisë diskutimi për ndryshimet statutore.
Në momentin që delegatët futen në një nga portat hyrëse të stadiumit do të pajisen me një draft të ndryshimeve në Statut. Ata fillimisht do të kenë mundësi të njihen me ndryshimet që do të propozohen.
Pasi të plotësohet edhe kuorumi me delegatët, në podium do të ngjitet i pari për të mbajtur fjalën e tij kryetari i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka.
Ndërkohë, më pas do të lexohen me radhë ndryshimet që propozohen në Statut. Pjesë e ndryshimeve pritet që të jetë edhe ajo që është pagëzuar nga Sali Berisha gjatë takimeve në foltore si neni “Basha”.
Në të do të sanksionohet që kryetari i partisë, nëse humb zgjedhjet e përgjithshme, atëherë është automatikisht i shkarkuar. Ndërsa rezervohen edhe ndryshime të tjera.
Pas kësaj faze, në podium do të ngjitet Sali Berisha, për të mbajtur fjalimin e tij, ku pritet që t’u drejtohet delegatëve edhe me kërkesën për mocion mosbesimi ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ndërkohë, deri më tani në planin e organizatorëve nuk parashikohet që pas mbledhjes së Kuvendit të shkohet në selinë blu.
Në selinë e PD-së nga ana tjetër Lulzim Basha ka thirrur një takim në orën 12:00, për të festuar ditëlindjen e kësaj force politike, që ky 11 Dhjetor e gjen më të ndarë se kurrë më parë. Pavarësisht se Berisha duket se nuk ka në plan marshimin drejt selisë së PD-së, Policia i ka marrë të gjitha masat për shmangien e incidenteve.
Gjatë ditës së djeshme makina të blinduara dhe ujëhedhëse u panë që të qarkullonin në rrugët e qytetit, ndërkohë që ambasada amerikane iu bëri thirrje qytetarëve të saj që të shamngnin tubimet, pasi edhe pse Kuvendi është paqësor, situata mund të precipitonte shpejt.
Sa i takon mbështetësve të Berishës, nuk pritet që të ketë surpriza, pasi të gjithë ata që iu bashkuan në foltore, do të jenë pjesë edhe e takimit të sotëm. Basha për momentin duket se ka shumicën në grupin parlamentar dhe në kryesinë e partisë, ndërkohë që ditën e djeshme pretendoi përmes Gazment Bardhit, se ka dhe shumicën dërrmuese të delegatëve të Kuvendit, të cilëve iu lexoi edhe emrat, që janë pro Kuvendit të 18 Dhjetorit.
A do të dalë PD më e fortë dhe më e bashkuar pas Kuvendit të sotëm, kjo është pyetja që i mundon të gjithë, e veçanërisht mbështetësit e PD-së, të cilët tashmë prej 8 vitesh e shohin veten në opozitë, duke humbur disa procese zgjedhore.