Si sot tre vjet më parë, Shqipëria u zgjua e tronditur. Në orët e parë të mëngjesit të datës 26 nëntor 2019, vendi ynë u godit nga një tërmet i fuqishëm si pasojë e të cilit ndërruan jetë 51 persona dhe qindra të tjerë mbetën të plagosur.
Krahas jetëve të humbura, tërmeti i 26 nëntorit 2019 shkaktoi dëme të shumta materiale në shtëpi dhe pallate, ky qindra familje në Durrës, Fushë-Krujë, Lezhë, Laç dhe Tiranë mbetën në qiell të hapur.
Instituti i Gjeoshkencës njoftonte se tërmeti i datës 26 nëntor 2019 ishte me magnitudë 6.4 i shkallës Rihter. Lëkundjet e forta sizmike sollën panik në gjithë vendin, por frika më e madhe “mbiu” në qarkun e Durrësit ku shumë qytetarë zgjodhën të linin shtëpitë dhe u larguan nga qyteti duke lënë pas një situatë trishtuese dhe të pazakontë.
Por pavarësisht se vitet kalojnë, sot ka shumë familje që nuk kanë një strehë edhe pse iu është premtuar se do të përfitojnë nga programi i rindërtimit.
Në konferencën e donatorëve të zhvilluar të Bruksel, Shqipëria arriti të sigurojë 1.15 miliardë euro, nga të cilat mbi 850 milionë euro ishin kredi me terma të butë, në përpjekje për t’i bërë ballë pasojave të tërmetit shkatërrues.